Policia greke e Janinës tha se goditi një rrjet shqiptaro-grek të drogës që përbëhej nga tetë persona, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar të marijuanës dhe heroinës nga Shqipëria drejt Greqisë.
Sipas policisë greke rrjeti drejtohej nga një shqiptar dhe përbëhej nga pesë shtetas të tjerë nga Shqipëria me banim në Greqi dhe dy grekë.
Rrjeti organizonte gjetjen në Shqipëri të sasive të marijuanës dhe transportimin në Janinë në baza të sigurta dhe më pas lënda narkotike shpërndahej në tregjet e vogla kriminale të drogës, shkruan Voa
Policia greke tha se rrjetit i është kapur një sasi lëndësh narkotike në periudha të ndryshme, që nëse do përfundonte në treg do shkonte në vlerën e rreth 370 mijë dollarëve. Policia greke po heton disa prej anëtarëve të rrjetit edhe për pastrim parash
Sipas të dhënave të policisë greke gjatë vitit 2020 në Greqi 210 shtetas shqiptarë u akuzuan për përfshirje në grupe kriminale, të cilët përbënin gati 31,7% të personave të akuzuar për këtë vepër në Greqi.
Raporti i policisë greke për antidrogën pohonte se në vitin 2020 rreth 48% e marijuanës së bllokuar në Greqi erdhi nga Shqipëria.
Sipas të dhënave policore greke rreth 3,7 tonë marijuanë e papërpunuar u bllokuan në Greqi pasi kishte hyrë nga territori shqiptar.
Sipas Raportit të antidrogës greke gjatë vitit 2020 në Greqi 806 shtetas shqiptarë u akuzuan të përfshirë në aktivitete për narkotikë nga 884 që ishte ky numër në vitin 2019.