Ditët e nxehta dhe të thata, me temperatura mesatarisht 39 gradë që prej fillimit të gushtit, në Kukës kanë shkaktuar jo vetëm zjarre, por edhe thatësirë në basenin më të madh ujëmbledhës në vend.
Liqeni i Fierzes, po shkon çdo ditë drejt zbrazjes. Niveli i ujit vetëm javën e fundit ka rënë me më shume se 40 cm në ditë. Niveli në liqen ka arritur në rreth 270 metër nga 296.5 e kuotës maksimale.
Kjo rënie ka sjellë edhe daljen e bazamenteve të dy urave mbi Drinin e Zi, ndërsa baseni i Fierzës po le bregun e po tkurret çdo ditë rreth kupolës së tij.
Këto të dhëna tregojne se situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të Drinit janë shumë të pakta, ndërsa rreziku për rënie në nivele kritike ekziston, për shkak të parashikimeve për motin e nxehte dhe temperaturat e larta që do të shoqërojne javët e fundit të muajit gusht.