Strehimin e afganëve në vendin tonë duket se qeveria shqiptare do të bëjë në ambientet e konvikteve studentore në Tiranë. FaxNews ka mundur të marrë një konfirmim përmes një kamere të fshehtë të bërë në ambientet e sekretariatit të Qytet Studentit.
Gazetarja Fiona Çela është interesuar për sigurimin e një dhome të lirë në konventitet e QS, por përgjegjësja e konviktit ka pranuar se kjo nuk është e mundur pasi në godinat e studentëve do të strehohen afganët të cilët pritet të mbërrijnë në Shqipëri.
Sipas përgjegjëses së konviktit madje ka filluar spastrimi i disa godinave nga studentët për të siguruar ambiente të lira.
Sipas saj urdhëri ka ardhur sot dhe bën me dije se janë pezulluar regjistrimet për studentët, për të filluar në shtator pasi godinat për dy javë do të jenë të zëna nga afganët.
Pjesë nga biseda:
Gazetarja e FaxNews: Përshëndetje jam e intersuar për të ditur nëse ka vende për tu futur në konvikt, jo për vete por për një të afërmin tim që jeton jashtë.
Përgjegjësja e konviktit: Jo për momentin jo, se jemi duke akomoduar studentët që kemi këtu se kemi një emergjencë.
Gazetarja: Ne dëgjuam se do vinin këta afganët të strehoheshin këtu, është e vërtetë?
Përgjegjësja e konviktit: Po, dy javë do të rrinë këtu.
Gazetarja: Do rrinë dy javë?
Përgjegjësja: Po
Gazetarja: Në të gjithë konviktet?
Përgjegjësja e konviktit: Jo në të gjithë konviktet, por janë disa godina që po i zbarazim tani dhe po i akomodojmë te godinat e tjera.
Gazetarja: Për dy javë, pastaj do ikin?
Përgjegjësja e konviktit: Pastaj do fillojnë regjistrimet, ndaj do interesohesh më vonë nga shtatori.