Lionel Mesi ka pak ditë që i është bashkuar PSG-së dhe duke qenë se nuk kishte kryer fazë të mirëfilltë përgatitore meqë ishte pa skuadër, mendohej se argjentinasit do t’i duhej kohë që të gjente formën fizike për të luajtur me ritmet e duhura.
Por po flitet për Mesin, një lojtar jo si të gjithë të tjerët dhe ylli argjentinas ka treguar që në ditët e para të PSG se i ka mjaftuar stërvitja individuale për të qenë në formë thuajse si shokët e tij të rinj të skuadrës. Këtë e ka vërtetuar edhe PSG me videon e postuar sot, ku shfaqet ylli argjentinas teksa merr pjesë në një ndeshje brenda grupit.
Kush kishte dyshime për formën e tij, pasi ka parë këtë video duhet të ketë ndryshuar mendje pasi Mesi është i pakapshëm nga shokët e skuadrës, duke kombinuar vazhdimisht e dribluar ata që tentojnë ta ndalin. Një video që është bërë hit në rrjetet sociale mes tifozëve të PSG-së që tashmë ëndërrojnë që shumë shpejt të shohin argjentinasin duke i përsëritur këto mrekulli edhe ndaj kundërshtarëve.
PANORAMASPORT.AL