Frederik Tota, i njohur si “Dan Bilzeriani” i Shkodrës është dënuar me 14 vite burg. 54-vjeçari u shpall fajtor për veprat penale “Shfrytëzim Prostitucioni”, “Mbajtje e lokaleve për prostitucion”, “Ushtrim pa license i veprimtarive financiare”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Vjedhje e energjisë elektrike ose impulsive telefonike” dhe “Ndërtim i Paligjshëm”.
Nga 14 vite që është dënuar, 54-vjeçari do të bëjë 9 vite, për shkak se pjesën tjetër e ka shlyer gjatë kohës së paraburgimit.
Gjykata e Apelit në Shkodër ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar, nga 5 vite burg që kishte kushëriri i Frederik Totës, shtetasi Kastriot Musa, me 7 vite burg për veprën penale “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”. Ky i fundit do të duhet që të bëjë afërsisht edhe dy vite burg, sepse pjesën tjetër e ka shlyer në paraburgim. Shtetasja tjetër, Sonila Mehja, 36 vjeçe, është dënuar me 8 vite burg nga Gjykata e Apelit në Shkodër, nga 9 që i ka dhënë Shkalla e Parë për veprat penale “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Mbajtjes së lokalit për prostitucionit”.
36-vjeçares i kanë mbetur edhe 4 vite, pasi pjesën tjetër e ka shlyer gjatë kohës së paraburgimit. Ndryshe nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila vendosi që lokali 3 katësh në lagjen Xhabiej në Shkodër, ku është ushtruar prostitucioni, t’i kthehet 54-vjeçarit Frederik Tota, Gjykata e Apelit vendosi që kati i dytë dhe i tretë i kësaj ndërtese t’i kalojë si pasuri shtetit shqiptar, pasi dyshohet se këto dy kate janë ndërtuar përmes veprimtarive të paligjshme. Frederik Tota u arrestuar në nëntor të vitit 2017 në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, në operacionin e koduar “Balerinat”.