Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, njofton se është shtyrë nisja e vitit të ri shkollor 2021-2022. Në një konferencë për media, ministrja Kushi deklaroi se ky vit shkollor nuk do të nisë më 13 shtator, por më 27 shtator 2021.
Siç bëri të ditur ministrja e Arsimit, nisja e vitit shkollor është shtyrë, për shkak se është vendosur që të zgjatet periudha e mësimit plotësue.
“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021. Gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore. Faleminderit dhe suksese të gjithëve!”, tha ministrja.