Detaje të reja dalin në dritë nga ekzekutimi i 34-vjeçarit Bledar Muçaj në një lokal në qytetin e Lushnjes mbrëmjen e sotme. Sipas News24, ai ishte i ulur në një tavolinë në anë të trotuarit me disa miq të tij.
Një makinë tip “Golf” u afrua nga ku një person i paidentifikuar ka qëlluar me breshëri automatiku drejt Muçajt duke e lënë të vdekur në vend.
Të shtënat kanë zënë dhe kunatin e tij, Judin Velon i cili ishte i ulur në tavolinë me 34-vjeçarin. Bledar Muçaj është baba i dy fëmijëve dhe mësohet se ai administronte disa biznese.
Gjithashtu mësohet se ai ka lidhje farefisnore me një person me precedent të theksuar kriminal, por ende nuk dihet identiteti i tij.
NGJARJA
Vrasja e Bledar Muçajt ka ndodhur në pedonalen e qytetit rreth orës 22:00. Të shtënat kanë krijuar panik tek qytetarët të cilët vrapuan nga vendngjarja.
Si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur 5 persona, më konkretisht bëhet fjalë për Judin Velon, Ervis Tafën dhe Sara Liçin, Eksara Sauli dhe Majlinda Gjyla.
Ata janë dërguar në spital ku fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, policia ka gjetur një makinë të djegur në fshatin Thanasaj që dyshohet të jetë e autorëve të krimit.
Uniformat blu kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë vendin për të identifikuar dhe arrestuar autorët e kësaj vrasje.