Sipas hetimeve të bëra efektivi i RENEA-s, Rael Luli, që u arrestua si pjesë e një rrjeti trafiku droge në kryeqytet, del se shiste vetë kokainën në Tiranë.
Sipas gazetarit Elton Qyno janë tre raste të dokumentuar nga ana e oficerëve të ShÇBA, ku ka dalë qartë se Rael Luli, shiste kokainë dhe në të treja rastet, 27-vjeçari i ka shitur drogën një oficeri të infiltruar nga strukturat e hetimit.
Ky i fundit i është prezantuar si emigrant dhe që e kishte të domosdoshme përdorimin e kokainës. Sasia e drogës pasi është marë nga agjenti i infiltruar, i ëshë nënshtruar një ekzaminimi në laborator, nga ku ka dalë me një përqindje pastërtie prej 80 përqind. Bashkë me kokainën, efektivi i RENEA tregtonte dhe sasi hashashi. Për shpërndarjen e drogës, dyshohet se ai përdorte edhe kushëririn e tij, 30-vjeçarin Jurgen Luli.
Ky i fundit u gjet në shtëpinë tek ish-Parku i Autobusëve, e cila ishte marrë me qiran nga vetë efektivi i RENEA-s për aktivitetin e paligjshëm. Rael Luli, Jurgen Luli e Gevi Spahia janë lënë në masën “arrest me burg”, ndërsa Gertjan Harapi dhe Ergi Sala, janë lënë të lirë.