Të tjera detaje kanë dalë në dritë për masakrën e mbrëmshme në Lushnje, ku u vra me armë zjarri 40-vjeçari Bledar Muçaj dhe u plagosën pesë të tjerë, përkatësisht shtetasit Judin Velo, 32 vjeç, Ervis Tafa, 25 vjeç, Sara Liçi, 24 vjeçe, Eksara Sauli, 26 vjeçe, dhe Majlinda Gjyla, 66 vjeçe.
Mësohet se në momentin e atentatit, biznesmeni Bledar Muçaj ka qenë me kunatin Judin Velo duke pirë kafe. Ai ka qenë objektivi i atentatorëve, ndërsa të plagosurit e tjerë ishin klientë të rastësishëm
Sipas informacioneve të para, thuhet se viktima nuk njihej si “problematik” dhe prej 4 vitesh administronte disa biznese në Lushnje përfshire edhe një loto. Në të njëjtën kohë ai ishte administrator i njërit prej tregjeve të medha në qytet.
Burime nga policia thanë së vrasësit kanë patur një informator të brendshëm që u jepte detaje për lëvizjet e Bledar Muçës. Deri tani nuk ka asnjë person të dyshuar për atentatin që tronditi vendin.
Pas krimit, policia ka gjetur edhe një makinë të djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët në atentat. Bëhet fjalë për një makinë “Golf”, blu të errët, e cila është shkrumbuar totalisht,, ndërsa brenda saj u gjeten edhe dy armë tip kallashnikov. Policia po punon për kapjen e autorëve. Gazeta Shqip