Partia Demokratike thotë se atentati i një nate më parë në Lushnjë, ku mbeti i vrarë Bledar Muça ka ndodhur si pasojë e aleancës që shteti ka bërë me krimin. Deputeti Enkelejd Alibeaj në emër të selisë blu thekson se ngjarja kriminale në Lushnje tregon se qytetarët janë të pasigurt.
“Ngjarja kriminale e Lushnjës risolli edhe njëherë para syve të shqiptarëve hendekun mes realitetit të hidhur në të cilin jeta e qytetarëve vihet çdo ditë në rrezik dhe propagandës së gënjeshtrave që ushen dhe ushqehet nga Rama, ku parësore është tallavaja dhe hilet e një komunikimi të rremë që prodhon vetëm fjalë boshe.
Gjendja e ankthit dhe pasigurisë që mbizotëron sot në Lushnje dhe kudo, është pasojë e sigurisë që gëzon krimi përballë një shteti të gjunjëzuar, dhe i modelit të instaluar nga regjimi Rama-Doshi, ai i aleancës me krimin. Rënia e rendit dhe sigurisë, humbja dhe shkatërrimi i jetëve, janë produkt i amoralitetit që ndëtoi këtë model për përfitime elektorale, duke bërë policinë të paaftë për t’u përballur me krimin dhe qytetet të pasigurta për familjet shqiptare
Këto dy Shqipëri, ajo e karikatorëve që zbrazen duke vrarë e lënduar dhe ajo imagjinare e rrjeteve sociale të Edi Ramës, që i përdor si kamuflim për krimin dhe korrupsionin si instrumente politike të regjimit, janë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Që Shqipëria reale të jetë e çliruar nga frika dhe nga makthi i një pushteti të bërë njësh me krimin, duhet ndëshkuar modeli i ndërtuar nga regjimi Rama-Doshi, duhet ndarë përfundimisht politika nga krimi. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur rend dhe siguri, e vemja mënyrë që qytetarët të jetojnë të sigurt në qytetet dhe fshatrat e tyre”, shkruan Alibeaj.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme në qendër të Lushnjës u ekzekutua duke u qëlluar me mbi 20 herë pronari i lokalit “Pedonale” Bledar Muça dhe u plagosën 5 të tjerë, mes tyre dhe kunati i viktimës, Judin Velo. 34-vjeçari Muça kishte lidhje familjare me bandën ‘Hakmarrja për Drejtësi’, pasi ishte i martuar me mbesën e Roland Shytit, i njohur si ‘mustaqekuqi’ i bandës ‘Hakmarrje për drejtësi’.