“Zotërinj KM/ER dhe KB/EV. Ju mirëkuptoj për brengosjen ndaj Afganëve të sotëm, POR mos na nënvlerësoni edhe ne “ish Afganët e para 30 viteve”.
Është ky apeli publik i mjekut Tritan Kalo, drejtuar kryetarit të qeverisë dhe atij të Tiranës.
Në kohën kur autoritetet zyrtare të shëndetësisë njoftojne çdo ditë rritje të infektimeve dhe Komiteti nuk ndryshoi masat anti-Covid në daljen publike të një dite më parë, mjeku Tritan Kalo tregon situatën shqetësuese në autobusët e Tiranës, ku përveçse vonojnë në stacion janë të mbingarkuar duke u bërë një burim i përhapjes së infeksionit.
“Nëse doni t’a nisni ditën me nerva të cingërisura, ju ftoj të merni me mua çdo mëngjes linjën e Unazës për të shkuar në punë….E keni të garantuar pritjen më së paku 30 minuta në stacion, autobuza pa kondicioner që edhe breshka do t’ua kishte zili për “ecjen e tyre”, mbingarkesën në pasagjerë duke rritur rrezikun e transmetimit të virusit Sars-Cov2/Covid-19, etj, etj….” Shkruan Kalo
Kalo ngre edhe shqetësimin për mungesën e ujit në kryeqytet, ndërsa ironizon dhe njëherë fokusimin e autoriteteve drejtuese në çështjen e pritjes së afganëve.
“Mirë uji që na mungon nëpër çezma, pluhuri e papastërtia që gëlojnë kudo dhe kurdoherë, POR së paku të ndiheshim të mirëtrajtuar dhe mirëkuptuar si qytetarë taksapagues të rregullt në Kabulin/ Tiranën tonë….Ju falemimderit për mirëkuptimin tuaj edhe në këtë rast!”
Mbipopullimi në urbanët e Tiranës dhe mungesa e furnizimit me ujë janë trajtuar nga Ora Neës në mënyrë konstante referuar denoncimeve që kanë bërë vetë qytetarët.
Pavarësisht denconimeve publike, asnjë nga autoritetet nuk ka dhënë një përgjigje, pasi vetë ata nuk janë përdorues të transportit publik, me përjashtim të rasteve kur u duhet të reklamojnë të ashtuquajturin përmireëim të shërbimeve në Tiranë.