Avioni me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja, kanë mbërritur në orët e para të mëngjesit në aeroportin e Rinasit, ndërsa tashmë kanë mbërritur në Durrës, në ambientet e hotelit ku do të strehohen.
Në pamjet e publikuara nga Top Channel, shihet grupi i parë me 121 shtetas afganë nga 4000 që pritet të mbërrijnë në Shqipëri në ditët në vijim.
Këta persona nuk do të lejohen të dalin nga territori i përcaktuar i godinave të hotelit dhe do të monitorohen 24 orë nga Policia e Shtetit.
Është vendosur staf mjekësor në dispozicion dhe ambulanca që do të qëndrojnë në zonë gjatë gjithë kohës. Mendohet që në strukturat hoteliere do të strehohen “elita”, ndërsa në konvikte pjesa tjetër nga 4000 afganët që pritet të strehojë Shqipëria.
121 afganët e parë kanë ardhur me avion civil nga Tbilisi. Në Rinas u pritën nga ministrja Olta Xhaçka dhe Ambasadorja Yuri Kum, po ashtu edhe nga struktura të ushtrisë dhe ekipe shëndetësore të cilat ishin në gatishmëri.
Vendi ynë do të strehojë përkohësisht 4000 afganë deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpreh më herët ministrja Xhaçka.
Kim: Krenarë t’i quajmë miq e aleat!
Ambasadorja Kim thekson se populli shqiptar edhe njëherë u ofron mikpritje dhe mbrojtje atyre në nevojë të madhe, e shton se SHBA-të janë krenare që kanë Shqipërinë mik dhe aleat.