3 persona janë arrestuar nga policia e Lushnjes, pasi dyshohen si autorë të disa vjedhjeve. Të arrestuarit bënin “kërdinë” në banesat e qytetarëve, por sulmit të tyre nuk i kanë shpëtuar as bizneset.
Në pranga ranë Niko Zaimi, 36 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, Erion Kondi, 40 vjeç dhe Klaudjo Myrtja, 27 vjeç, të tre banues në Fier.
Vetëm gjatë mëngjesit të sotëm ata kanë grabitur 2 bizneset dhe një banesë.
Konkretisht në lagjen “Kadri Qystri” kanë vjedhur dy biznese në pronësi të D. Sh. dhe biznesin në pronësi të A. S., ndërsa në lagjen “Loni Dhamo” kanë vjedhur banesën e N. K.
Për kapjen e tyre u zhvillua operacioni i koduar “Trio”, ndërsa ata janë autor e të paktën edhe 3 banesave të tjera në Lushnje gjatë muajve maj-gusht duke marrë sende me vlerë, para por edhe orendi shtëpiake.
Në datën 11.05.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit J. P., në datë 10.08.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit E. E., dhe në datë 12.08.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit A. H.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar 3830 euro, 40 paund, 125.200 lekë të rinj, disa bizhuteri, 3 aparate celularë, pajisje që përdoreshin nga autorët për të kryer vjedhjet si dhe automjeti i cili gjithashtu përdorej nga këta shtetas për të kryer vjedhjet.
Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të kryera nga këta shtetas.