Një 40-vjeçar në Staffordshire, Angli, ndërroi jetë për shkak të COVID-19 pas refuzimit të vaksinës prej mosbesimit. Markus Birks u shtrua në spital pasi u infektua nga virusi, por e humbi betejën me vdekjen ditën e premte.
Pak më herët gjatë këtij muaji, Markus iu bëri thirrje njerëzve për t’u vaksinuar, pavarësisht se ai vetë e refuzoi.
“Kur nuk je infektuar, mendon se nuk do të ndodhë kështu që dëgjon të gjitha teoritë për anti-vaksinimin. Por kur ndihesh sikur nuk mbushesh dot me frymë, është ndjesia më e frikshme në botë”, tha ai për “BBC”.
Në fillim, simptomat e tij ngjasonin me ato të gripit të zakonshëm, por nisën të përkeqësoheshin.
Kur shfaqi probleme me frymëmarrjen, ai u dërgua menjëherë në urgjencë. “Gjëja e parë që do të bëj është t’i them familjes sime dhe kujtdo që shoh që të bëjë vaksinën”, kishin qenë fjalët e tij.
Fatkeqësisht, Markus nuk arriti të mbijetonte duke lënë pas gruan e tij e cila ndodhet në pritje të fëmijës së tyre.