Presidenti amerikan është kritikuar orët e fundit në mediet sociale, për shkak të një videoje ku sipas disave, është duke parë orën, gjatë ceremonisë për ushtarët e vdekur nga sulmi i përgjakshëm i ISIS -K, në Kabul.
Sipas Daily Mail, Joe Biden udhëtoi në Bazën e Forcave Ajrore Dover në Delaware të dielën në mëngjes për të marrë pjesë në një ceremoni në nder të ushtarëve amerikanë, që humbën jetën në sulmin e së enjtes së kaluar.
Arkivolet me trupat e 13 ushtarëve të vrarë në sulm mbërritën në Shtetet e Bashkuara të njëjtën ditë në një C-17 Globemaster dhe, natyrisht, presidenti amerikan duhej të ishte i pranishëm për t’i nderuar ata.
Sidoqoftë, sipas raportit, pak çaste pas përshëndetjes ushtarake në nder të 13 ushtarëve trima, presidenti amerikan u regjistrua në video “duke kontrolluar orën e tij”, pa qenë në gjendje të thotë me siguri nëse ai vërtet bëri diçka të tillë, ose thjesht dukej kështu në kamera lëvizja e dorës së tij.