Presidenti amerikan, Joe Biden i është drejtuar kombit pas përfundimit të luftës në Afganistan.
Në një dalje për mediat, Biden tha se “ne përfunduam një nga transportimet më të mëdha ajrore në histori”, teksa iu referua evakuimeve në Afganistan.
“Asnjë komb nuk ka bërë ndonjëherë diçka të tillë në të gjithë historinë; vetëm Shtetet e Bashkuara kishin kapacitetin, vullnetin dhe aftësinë për ta bërë atë“, tha më tej Biden.
Biden e filloi fjalimin e tij duke falënderuar personelin ushtarak amerikan për punën e tyre që çoi në evakuuimin e më shumë se 120,000 personave nga Kabuli.
Ai tha se operacioni nuk do të ishte i mundur pa “aftësinë, trimërinë dhe guximin vetëmohues” të trupave amerikane, diplomatëve dhe personelit të inteligjencës.”
SHBA ishte e përgatitur për kolapsin e shpejtë të Afganistanit, tha presidenti Amerikan.
“Ne ishim gati kur forcat afgane të sigurisë … nuk qëndruan aq gjatë sa prisnim.”
Presidenti amerikan u shpreh ndër të tjera se 90 për qind të amerikanëve që donte të largohej nga Afganistani e patën mundësinë që të largoheshin.
Presidenti Biden tha se ai pranon përgjegjësinë për vendimin për t’u tërhequr nga Afganistani, duke shtuar se ai beson se qëndrimi më i gjatë nuk ishte një opsion.
“Disa thonë se duhet të kishim filluar evakuimin masiv më herët” tha ai. “Unë nuk pajtohem.”
Më shumë se 2,400 ushtarakë amerikanë u vranë në luftën afgane, me gati 23,000 të plagosur./