Avokati Spartak Ngjela e lidh dorëheqjen e Lefter Kokës, me kërkesën amerikane për të mos lejuar në Kuvendin e Shqipërisë, persona që janë shpallur non grata nga SHBA-ja.
Me anë të një postimi në Facebook, Ngjela nuk e thotë drejtpërdrejt faktin që Koka është shpallur non grata, por i referohet DASH, i cili ka thënë se përveç Sali Berishës, ka edhe persona të tjerë që janë në listën e zezë.
Sipas tij, kërkesa amerikane po merr udhën e saj brenda Ligjit për Dekriminalizimin, i cili në nenin 2 pika 2 të tij, shprehet qartë që këtyre personave u hiqet mandati i deputetit.
“Sot u tërhoq dhe dorëzoi mandatin e deputetit edhe një tjetër deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e ri që pritet të mblidhet në datën 10 shtator të këtij viti. Deputeti Lefter Koka. Po, a do të jetë ky një proces për të gjithë deputetët që janë shpallur nongrata në Amerikë? Departamenti i Shtetit amerikan ka thënë se, përveç Sali Berishës, non grata janë shpallur edhe disa të tjerë”, shkruan Ngjela.
Nisur nga kjo, Ngjela ngre dyshime se KQZ dhe Komisioni i Mandateve nuk do t’i japë mandatin Sali Berishës.
“Kjo udhë ligjore, e nisur me dorëheqjen e sotme, na jep të kuptuar se Sali Berishës, që është shpallur non grata në Amerikë, nuk do t’i jepet mandati as nga KQZ dhe as nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, komisione këto që janë me shumicë socialiste. Dhe mandati i deputetit certifikohet vetëm nga këta dy institucione, në zbatim të kushtetutës dhe ligjit”.
Sipas Ngjelës, dorëheqja e deputetit Koka, i zgjedhur në zgjedhjet e prillit, tregoi se mazhoranca socialiste do ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit në mënyrë rigoroze
Postimi i plotë i Spartak Ngjelës
Sot u tërhoq dhe dorëzoi mandatin e deputetit edhe një tjetër deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e ri që pritet të mblidhet në datën 10 shtator të këtij viti. Deputeti Lefter Koka.
Po, a do të jetë ky një proces për të gjithë deputetët që janë shpallur nongrata në Amerikë? Departamenti i Shtetit amerikan ka thënë se, përveç Sali Berishës, non grata janë shpallur edhe disa të tjerë.
l.
Kërkesa amerikane për të mos lejuar në Kuvendin e Shqipërisë personat që janë shpallur non grata në Shtetet e Bashkuara, duket se po merr udhën e saj brenda Ligjit për Dekriminalizimin, i cili në nenin 2 pika 2 të tij, shprehet qartë që këtyre personave u hiqet mandati i deputetit.
Kjo udhë ligjore, e nisur me dorëheqjen e sotme, na jep të kuptuar se Sali Berishës, që është shpallur non grata në Amerikë, nuk do t’i jepet mandati as nga KQZ dhe as nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë, komisione këto që janë me shumicë socialiste. Dhe mandati i deputetit certifikohet vetëm nga këta dy institucione, në zbatim të kushtetutës dhe ligjit.
ll.
Nga e gjithë kjo tablo juridiko-politike kuptojmë se, në këtë rast, kryeministri Rama dhe maxhoranca socialiste po tregon se nuk do të luajë me dy pesha e me dy masa, por vetëm me një peshë e me një masë, në lidhje me zbatimin e Ligjit për Dekriminalizimin, i cili e shpreh hapur në nenin 2 pika 2 të tij se, “personi i shpallur non grata nga Departamenti i Shtetit amerikan, nuk mund ta mbajë mandatin e deputetit”.
Dhe ky ligj ka arsye të shëndoshë në këtë qëndrim, sepse një gjë e tillë zbatohet edhe për personat që janë non grata në një nga vendet e Bashkimit Evropian.
Në fakt, ky nen i këtij ligji, paraqet personalitetin ndërkombëtar të Shqipërisë në lidhje me vendet e qytetërimit perëndimor, dhe dinjitetin historik shqiptar që e shpall hapur qëndrimin e vet historik perëndimor kundër çdo lëvizje antiperëndimore në Shqipëri.
Dorëheqja e deputetit Koka, i zgjedhur në zgjedhjet e prillit, tregoi se mazhoranca socialiste do ta zbatojë ligjin e dekriminalizimit në mënyrë rigoroze. Por, a do të ketë dhe dorëheqje të tjera deputetësh?
Të shohim se si do të precipitojnë ngjarjet.