Kompania gjermane, Nitrokey është e njohur më së shumti për prodhimin e aksesorëve teknologjikë që ofrojnë siguri të lartë, si USB të kriptuara. Por, së fundmi ajo ka shfaqur ambicien për t’u hedhur në tregun e telefonave inteligjentë.
NitroPhone 1 është produkti i parë i saj në këtë drejtim. Na prezantimin që i bën këtij telefoni në faqen e vet zyrtare të internetit, kompania gjermane thotë se ky telefon është telefoni me sistem operimi me bazë Android-in e Google më i sigurtë në botë.
Përveç kësaj, sipas kompanisë, NitroPhone 1 ofron privatësinë maksimale për përdoruesit, thjeshtësinë në përdorim dhe një hardëare modern.
Telefoni është hedhur në treg për një çmim prej 600 eurosh. Por, për disa ekspertë NitroPhone 1 nuk është gjë tjetër veçse një kopje e telefonit të Google, Pixel 4a, me dallimin se operon me GrapheneOS, që është një nënsistem Android pa shërbimet e Google, si Google Play Store.
Ekspertët thonë se GrapheneOS është një variant Androidi që ofrohet falas për instalim dhe nuk e kuptojnë se çfarë risie ka sjellë kompania gjermane Nitrokey me telefonin e parë të saj, që të joshë blerësit ta blejnë me një çmim dyfish më të shtrenjtë se Pixel 4a.