BESARTA BASHA
Në morinë e shumë këndvështrimeve mbi idetë marksiste dhe Marksin si individ ka lindur edhe një i fundit, i cili e zhvesh atë nga ajo që prodhoi komunizmin, pasojat e të cilit shumëkush i vuan sot.
Nuk është pikëpamja e një apo dy filozofëve ajo që e ndez dhe shqetëson debatin publik, por fakti që kësaj ideologjie dhe themeluesit të komunizmit i bëhet vend dhe u serviret të rinjve.
Më konkretisht, bëhet fjalë për Filozofinë e klasës XI ose vitit të parafundit gjimnaz, ku Marksi pasqyrohet me një frymë humanitare dhe se ajo çfarë ndodhi në vendet e lindjes, përfshi dhe Shqipërinë, nuk e bën atë përgjegjës.
ÇFARË THOTË LIBRI
Që Karl Marks ka shënuar një kthesë të rëndësishme në historinë e njerëzimit, për këtë askush nuk ka asnjë dyshim. Debati shtrohet mbi qasjen negative. Por, nuk ndodh kështu.
Në tekstin e Historisë atij i thuren lavde për vizionin e gjerë për botën, “mendimin e thellë, të gjithanshëm, të specifikuar, të qartë dhe me stil të mprehtë”.
Deri këtu jemi në rregull. Disa rreshta më poshtë (pjesën e plotë e gjeni në tabelën përbri shkrimit) kërkohet ndarja e këtij individi nga ajo që prodhoi vetë ai. Thënë ndryshe, Marksi nuk mban kurrfarë peshe faji për veprën “manifesti komunist”.
Përkundrazi, gishti i akuzës drejtohet nga ata që e implementuan teorinë e tij, shtrembër.
“Për një kohë të gjatë, në pothuajse një të tretën e botës është predikuar një marksizëm i shtrembëruar dhe i vulgarizuar, është propaganduar ndarja e Marksit në dy pjesë, në ‘të vjetër’ dhe ‘të ri’. Për më tepër, ndërtuan sisteme politiko-shoqërore, që në të gjitha drejtimet ishin të papajtueshme për frymën e humanizmit të Marksit”, citohet fjalë për fjalë në tekst, i cili na kërkon ne, lexuesve që të mos e kritikojmë Marksin për atë që ndodhi në Shqipëri a gjetkë gjatë viteve të izolimit në çdo aspekt.
AUTORI
Autori i tekstit shkollor, Ilirjan Metaj, i qëndron pikë për pikë asaj çka ka shkruar. Në një prononcim për gazetën, filozofi nënvizon se ka shkruar vetëm faktet historike, ndërsa ia lë në dorë lexuesit (në këtë rast të ri, me gjasë dhe të panjohur me marksizmin) të interpretojë dhe krijojë bindjet e tij.
“Jemi përpjekur të japim objektivin e çdo ideje të autorëve të filozofisë, përfshirë dhe Marksin. E kemi trajtuar në atë mënyrë që t’ia lëmë në dorë nxënësit, studiuesi a çdo lexuesi ta interpretojë. Filozofia nuk është përfundimtare, por i lihet aftësia krijuese dhe interpretuese lexuesit. Ne thjesht japim faktet.
Libri është i marrë nga përvoja shumëvjeçare e punës sonë, por i jemi referuar edhe klasikëve botërore. Synimi i tekstit nuk është që lexuesi të riprodhojë atë që kemi shkruar, por ta përpunojë dhe të krijojë bindjen e tij”, shprehet Metaj, i bindur që me tekstin e tij nuk imponon apo brumos ide te të rinjtë.
“Ne e shtrojmë si fakt, si ngjarje historike. Duam apo s’duam ne, nuk e shmangim dot. Interpretimi është subjektiv. Ne synojmë që të ngjallim debat”.
REAGIMET
Për Ermal Hasimjan, që solli në qendër të vëmendjes tekstin përmes një statusi në rrjete sociale, nuk kemi të bëjmë me padije, por shtrembërim të qëllimtë të historisë që i bëhet një shoqërie që i ka vuajtur për pesë dekada pasojat e ideologjisë së marksizmit
“Kjo nuk është injorancë! Është nostalgji e kalbësirave kriminale që në mes të tmerrit e mjerimit e ndjenin vete sipërorë, sepse partia i bëri vegla të saj për t’u shtypur kokën gjithë të tjerëve. Turp! Një shoqëri që është përdhunuar 50 vjet dhe nuk ka kuptuar asgjë”, shkruan Hasimja.
Nuk kanë munguar komentet për gjykimin subjektiv apo zgjatimi i mënyrës komuniste të ndërtimit të teksteve shkollore. Panorama