Një 35-vjeçare, nënë e dy fëmijëve të lindur nga bashkëjetesa me O.T., zbuloi se personi i zemrës kishte ndërkohë një lidhje tjetër paralele dhe jo vetëm kaq, por kishte edhe një fëmijë me gruan tjetër.
Kjo e fundit, nuk ishte as më pak as më shumë, por e para me të cilën ai kishte shkuar në altar, i kishte thënë “po”, më pas ishte divorcuar në gjykatë, e megjithatë, ndonëse ishte ndarë me të, lindën një fëmijë, teksa kishte krinuar një jetë të re me vajzën nga kryeqyteti
Por, se cila ishte gruaja e parë dhe më e rëndësishme e burrit, e zbuloi më pas policia, e cila konstatoi se 42-vjeçari më herët kishte qenë i martuar, ishte divorcuar dhe nga kjo martesë kishte një fëmijë që e sollën në jetë mbas divorcit dhe fshehtas gruas së dytë.
Nga të dhënat dhe deklaratat për të cilat për shkak të jetës familjare ka ndryshuar disa të dhëna personale, kuptohet se ish-gruan, i riu e ktheu në të dashurën e fshehtë, me të cilën solli në jetë një fëmijë që u zbulua nga bashkëjetuesja.
I riu, nisi bashkëjetesën me vajzën e re nga Tirana dhe ishte në një jetë të lumtur dhe harmonike, pasi “e dyta”, nuk dinte asgjë nga martesa e mëparshme.
E bindur se ishte lidhur dhe martuar me një beqar, në çastin kur zbuloi të kaluarën, u grind me të shoqin dhe i kërkoi atij llogari derisa ai e rrahu, duke e mbushur në këtë mënyrë kupën e durimit të partneres, që përfundoi në polici së bashku me parterin.
Burimet thonë se O.T., u vu nën akuzë për dhunë në familje pas denoncimit të gruas së dytë, me të cilën ai ishte në bashkëjetesë dhe ende nuk kishin kryer celebrimin zyrtar, nga ku e reja do të kishte mundësi të kryente në kohë zbulimin.
”As familjarët e tij s’më tregun asgjë, nuk dija asgjë për gruan dhe martesën ankohet e reja në polici”. Ngjarja u denoncua në komisariatin numër një në Tiranë, nga e reja me inicialin e emrit E., nën pretendimin se i shoqi, jo vetëm kishte dy gra, por e kishte keqtrajtuar.
“Rreth orës 19:00, mësova se bashkëjetuesi me të cilin jetoj prej 7 vitesh ka një fëmijë nga një lidhje tjetër, i moshës 1 vjeç. Ndërkohë, nga bashkëjetesa e saj me të kallëzuarin, kemi dy fëmijë konkretisht të moshës 7 dhe 1 vjeç”.
“Pasi rashë në dijeni të faktit të fëmijës tjetër dhe gruas tjetër, kërkova shpjegime. Bashkëjetuesi u tregua indiferent dhe nuk më dha asnjë shpjegim, ajo ishte ish-gruaja me të cilën gjatë bashkëjetesës lindi një fëmijë. Nuk isha e informuar që bashkëjetuesi kishte qenë i martuar dhe më pas i divorcuar”, – deklaron gruaja, e cila shton në polici se në nerva i sipër i kërkoi partnerit të ndaheshin dhe ajo të largohej së bashku me fëmijët.
“Filloi të shajë dhe të reagojë keq në sy të fëmijëve. Më goditi në kokë, në fytyrë dhe në trup. Këto veprime i kreu në prani të dy fëmijëve tanë dhe fëmija më i madh njoftoi në telefon policinë”, – rrëfen E. I pyetur nga policia, 42-vjeçari e ka akuzuar partneren për xhelozi të tepruar.
“Nuk kam ushtruar dhunë dhe nuk e kam prekur me dorë, ajo është xheloze nga martesa e parë dhe u tërbua kur mësoi se kisha takuar ish-gruan. Por unë jetoj me gruan e dytë dhe ajo e ka ditur për martesën e parë”.
I akuzuari këmbëngul se gruaja e dytë i bëri gati sendet personale dhe i kërkoi që të shkonte njëherë e mirë tek gruaja e parë.
Burimet e Gazetasi.al, shtuan se megjithë mohimin e dhunës ndaj gruas së dytë, akt ekspertimi vërteton se ajo u godit dhe u rrah.
“Janë konstatuar dëmtime në krahun e djathtë në formë gërvishjteje rrethore e skuqjeje dhe dëmtim e skuqje në kyç dhe fytyrë“, – shkruan mjeku ligjor, i cili i ka vënë pikat mbi “I” ndaj burrit që nuk u shkëput dot nga ish-gruaja, por as nga gruaja.