Talebanët tashmë kanë marrë kontrollin në të gjithë territorin e Afganistanit, duke ngritur dhe flamurin e tyre në rajonin e Panjshirit, i cili konsiderohej si bastioni i fundit i rezistencës ndaj tyre.
Mijëra militantë morën pjesë në një operacion që zgjati disa ditë në provincën malore të Panjshirit, duke shpallur fitoren ndaj të ashtuquajturve “Luanët e Panjshirit”.
Më herët, xhihadistët kishin “pushtuar” 7 distrikte në këtë rajon, përfshirë dhe kryeqytetin Bazarak, duke lënë pas qindra viktima në luftime.
Ditën e hënë, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid doli në një deklaratë për shtyp ku konfirmoi se territori është tashmë i gjithi nën ligjin e Sheriatit.
Ai tregoi se kishin tentuar të negocionin me liderët e rezistencës në Panjshir, por ata kishin refuzuar bisedime dhe për këtë arsye situata përshkallëzoi në luftime.