Nga Lefter GESHTENJA
Fjala e mbajtur në Kuvend
Të nderuar qytetarë shqiptarë!
Të nderuar motra dhe vëllezër të Librazhdit, Prrenjasit dhe mbarë qarkut të Elbasanit.
Kjo është hera e parë që unë flas nga kjo foltore si deputet i Qarkut te Elbasanit, për të përfaqësuar banoret e një trevë e cila sot priste dorën e qeverisë por sërish do të lëngojë nën varfëri.
Në fakt, çdo shqiptar sot, i djathtë apo i majtë, nuk priste asnjë të re nga qeveria apo programi i saj. Asgjë nuk mund të pritej nga një qeveri e cila bleu mandatin e saj dhe sot po shton agoninë e shqiptarëve dhe dëshirën për ndryshim.
Nuk ka dyshim që Edi Rama mori një mandat pas një masakre elektorale ku përdori të gjitha menyrat e paligjshme: qe nga patronazhistët, nga paratë e buxhetit, paratë e korrupsionit të 8 viteve, presionin e bandave deri tek presioni per bukën e gojës.
Më 25 prill, mbi 9 mijë votues të Librazhdit dhe Prrenjasit, si asnjëherë tjetër, iu bashkuan thirrjes për ndryshim, por që u ndal përkohësisht. Por nje gjë është mëse e qartë; Edi Rama s’mund të ndalë ndryshimin, qeveria dhe programi i tij janë të përkohshëm.
Në vitin 2013, fare pak perpara se të merrte pushtetin, Edi Rama u premtoi banorëve të Librazhdit se do hapte 4 mijë vende pune. Pas 8 viteve, janë dhjetëra mijëra banorë që kanë braktisur Librazhdin e Prrenjasin nga pamundësia për të punuar e për të rritur normalisht fëmijët e tyre.
Sipas INSTAT, Librazhdi dhe Prrenjasi janë dy bashkitë më të varfëra të qarkut Elbasan, me papunësinë më të madhe dhe me pagat më të ulëta.
Cila është zgjidhja e qeverisë për ta?! Fatkeqesisht asnjë.
Pas ndërtimit të veprës me të madhe rruges Tirane Elbasan, ku personalisht kam marrë pjesë në realizimin e saj, Qarku i Elbasanit priste zhvillim te madh, por ndodhi e kundërta. Ende pas 8 vitesh kjo vepër nuk ka përfunduar, rrugë të reja nuk ka, qytetet janë të kapura nga bandat ndërsa bujqësia dhe turizmi vetëm sa mbijetojnë.
Librazhdi dhe Prrenjasit kanë mbetur si xhepa jetimë, anës rrugës nacionale dhe banorëve u ofrohet si zgjedhje vetëm ikja nga trevat e tyre.
Programi i kësaj qeverie në infrastrukturë është një dështim i plotë. Pas 8 viteve nuk ka një bilanc se sa kilometra rruge ndërtoi kjo qeverie.
Cila rrugë e re nisi dhe mbaroi?
Por ajo që është më e pabesueshmja, në këtë program, zhvillimi i infrastrukturës nuk është më shumë se gjysëm faqe. Mund të duket e pabesueshme, por për 4 vitet e ardhshme kjo qeveri nuk ka programuar të ndërtojë asnjë rrugë.
Premtohen vetëm kontrata PPP, ndërtimi i dy aeroporteve, që nuk dihet se kur nisin e kur mbarojnë. Zgjidhja e qeverisë Rama për infrastrukturën është vetëm një fjali; do presim ndonjë projekt korruptiv të pakërkuar.
Qeveria premton të përfundojë vetëm pak rrugë të nisura dhe asgjë tjetër. Shqipëria qe të zhvillohet ka nevojë për infrastructure, ndersa ky program do e mbajë në stanjacion të plotë.
Ndërtimi i rrugëve me PPP apo me oferta të pakërkuara janë një zgjidhje për të kënaqur vetem xhepat e qeveritareve por aspak për tju përgjigjur nevojës ulëritëse që ka vendi për infrastrukturë të re.
Sot nuk ka një strategji për infrastrukturën, qendrore apo lokale. Qytetarët nuk e dinë se ku do të investohet. Por kjo është e qëllishme pasi interesi i qeverisë është të ndërtojë aty ku mund të vidhet.
Mjaftojmë të shohim ato pak rrugë të ndërtuara deri më sot, që fare mirë mund të quhen të florinjta pasi kanë kushtuar disa herë më shumë se kostoja reale e tyre. Arsyeja është e thjeshtë; korrupsioni. 8 vite në pushtet dhe nuk ka një projekt gati, nuk ka një procedurë të rregullt konkurimi por vetëm pazare.
Rezultati është i qartë. Infrastruktura është përkeqësuar, aksidentet janë shtuar ndërsa mirëmbajtja e rrugëve është kthyer në një gangrenë që do shtojë vjedhjet në buxhet.
Në fund, qytetarët do paguajnë më shumë nga xhepi i tyre. Kjo është zgjidhja e këtij programi; qytetarët të vidhen më shumë.
Sot, shqiptarët paguajnë më shumë se kushdo taksa për rrugët, paguajnë interesa për kreditë e marra, paguajnë për korrupsionin, për rrugët pa standarde, për karburantin më të shtrenjtë dhe të ndotur në Europë. Keqqeverisja me infrastrukturën po kthehet në një kancer për ekonominë e brishtë shqiptare.
Në këtë program, kjo qeveri ka harxhuar deri më sot 59 miliardë lekë ose afërisht 550 milionë euro për rilindje urbane. Investime të pavlera, me kosto të dyshimta për përfitime personale, që nuk sollën asnjë vlerë për ekonominë.
Por duket se kjo qeveri do vijojë të bëjë të njëjtën gjë. Paratë e shqiptarëve do shpenzohen për projekte korrupsioni dhe jo për zhvillim dhe vende pune.
Të gjitha këto janë thirrje për drejtësinë që të hetoje shpenzimin e parave të shqiptarëve, qe nga shkelja e procedurave, tek rritja fikktive korruptive e kostove.
Procesi i rindërtimit pas tërmetit të nëntori 2019 është kthyer në një hall më vetë.
Dy vite pas termetit, sot ka ende familje shqiptare në çadra, sepse qeveria ka qënë e zënë t’ju gjejë klientëve të vet fondet për ndërtime me kosto të dyshimta.
Sot ne nuk kemi ende një shifër të saktë, se sa ka shpenzuar kjo qeveri për rindërtimin nga paratë e buxhetit dhe sa nga donacionet?
A arriti kjo qeveri të përfitojë nga donacionet e premtuara nga ndërkombëtarët? U premtuan mbi 1 miliardë euro por mesa duket donatorët seriozë u tërhoqën nga mungesa e projekteve apo nga projekte të dyshimta. Ndaj sot, në këtë program, qeveria premton se pranverën e ardhshme do përfundojë rindërtimin, “një parrullë elektorale”.
Bujqësia dhe fshati për këtë qeveri vlen vetëm një faqe e gjysëm program. Asnjë zgjidhje, asnjë subvencion, asnjë mbështetje për fermerët të cilët janë lënë në mëshirën te fatit dhe traut të doganës.
Nuk ka mundësi tjetër për banorët e Librazhdit dhe Prrenjasit për t’u zhvilluar përveçse bujqësisë, turizmit dhe agro-turizmit. Në këtë program, nuk gjen përgjigje, por vetëm parrulla.
Treva e Librazhdit e ka emergjende ndërhyrjen dhe dorën e qeverisë. Nevojiten investime në infrastrukturën rrugeore dhe ujesjellsa, që zona të ndryshojë modelin ekonomik. Po si mund të zhvillohet turizmi kur nuk ka asnjë plan për rrugë apo ujësjellësa? Si mundet që fermerët të shtojnë punën dhe prodhimet në bujqësi kur nuk marrin asnjë përkrahje?
E vetmja gjë që do shtojë qeveria janë familjet në ndihmë ekonomike, që sot në Librazhd janë rreth 8600 persona nga shtresa vunerabël.
Në përfundim, u bëj thirrje bashkëqytetarëve të mi, trevës së Librazhdit, Prrenjasit dhe mbare qarkut te Elbasanit, por edhe gjithë shqiptarëve, që të mos e humbasim shpresën. Këtë betejë Ne do e vazhdojmë bashkë.
Unë do jem mes jush, ne cdo familje, në çdo rrugë, ne cdo lagje dhe ne cdo fshat të trevës tonë për t’u përgatitur drejt ndryshimit në momentin më të parë.
Ndryshimin e nisur me 25 prill nuk do mund ta ndalë gjatë Edi Rama dhe shërbëtorët e tij.
Bashkë Ne do t’ia dalim.
Ju faleminderit!
Dhe Zoti Ju bekofte!