Ka kaluar më shumë se një muaj që kur Lionel Messi u transferua te PSG. Argjentinasi lëvizi pas 21 vitesh nga Barcelona për të filluar stadin e tij të ri të futbollit në nivel klubesh. Tani është mësuar se Messi dhe familja e tij duan të largohen nga hoteli me 5 yje në Paris, ata po planifikojnë të transferohen në një “kështjellë” pranë kryeqytetit francez.
Sipas raporteve nga “SPORTbible”, gjysma më e mirë e Lionel Messit, Antonella, dëshiron një vendbanim të përhershëm në kryeqytetin francez. Në të njëjtën kohë, gjithashtu është mësuar se Antonella ka përzgjedhur vendbanimin e saj të përsosur më në fund. Zonja e Messit po shikon një “kështjellë”, e cila kushton shumën marramendëse prej 48 milionë euro në tregun e pasurive të palujtshme.
Prona përbëhet nga 30 dhoma, një palestër, një kinema në shtëpi, një dhomë lojërash personale, një pishinë e mbyllur etj. Përveç të gjitha këtyre komoditeteve, ndërtesa që thuhet se është ndërtuar më 1899, gjithashtu ka garazhe dhe shumë utilitete të tjera. Sidoqoftë, ajo që bie në sy këtu është se prona ndodhet vetëm 15 minuta larg nga kampi stërvitor i PSG-së.
Mësohet se ish-presidenti i Francës, Charles De Gaulle, gjithashtu qëndroi në këtë “kështjellë” për tri ditë më 1940, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Messi, ndërkohë, është gati për të bërë debutimin e tij te PSG, në shtëpi, të dielën kur skuadra e tij do të përballet me Lyon.