Dashnor Kaloçi
Publikohen disa dokumente të panjohura arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Aty ndodhet një dosje voluminoze me një korrespodencë me letra, raporte, informacione, relacione, shënime, udhëzime etj., të cilat i përkasin fundit të vitit 1974 dhe fillimit të vitit 1975, e cila hapet me një letër të shkrimtarit Hamza K., drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu, ku ai denoncon disa prej kolegëve të tij, emra nga më të njohurit e letërsisë shqipe, si: Sabri Godo, Teodor Laço, Sotir Andoni, Dhori Qirjazi, Faslli Haliti, Roland Gjoza, Koçi Petriti, Frederik Rreshpja, Milianov Kallupi, Flora Mullaymeri, Klito Fundo, Koço Ristani, Niko Dako, Petraq Zoto, etj.
Letra e plotë e shkrimtarit ushtarak, Hamza K., nga qyteti i Korçës, për ministrin Hazbiu, ku ai përveçse ka marrë në analizë disa prej veprave dhe librave që u ishin botuar shtatë kolegëve të tij deri në atë kohë, nga ana e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë, si dhe heshtjen e organeve letrare “Drita” dhe Nëntori” të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ai ka ngritur edhe mjaft probleme të tjera, siç ishin karriera dhe anët biografike të tyre, madje duke u marrë gjatë dhe deri me detaje të hollësishme rreth tyre, gjë e cila në atë kohë alarmoi udhëheqjen e lartë të PPSH-së në Tiranë, Sigurimin e Shtetit dhe të gjitha strukturat e tjera përkatëse që kishin nën varësi problemet që ishin ngritur në atë letër, etj.
‘Furtuna’ e madhe që u ngrit ndaj shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe gjithë punonjësve të tjerë të artit e kulturës, pas fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur fillimisht në mbledhjen e aparatit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë më datën 9 janar të vitit 1973, (vetëm pak ditë pas përfundimit të Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion) dhe më pas në mbledhjen e zgjeruar të komunistëve të organizatës bazë të partisë së aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së që u mbajt në datat 15 dhe 16 mars të atij viti, duke se do të vazhdonte gjatë. Veç të tjerash, kjo gjë duket qartë edhe nga dokumentet, të cilat janë nxjerrë nga një dosje voluminoze me me siglën “Tepër sekret”, ku ndodhet një korrespodencë e gjatë me letra, informacione, relacione, raporte, udhëzime, shënime etj., që i përkasin muajit nëntor të vitit 1974 dhe vazhdojnë gjatë, deri në fundin e vitit 1975.
Madje atij iu desh që të përballej edhe me mjaft të papritura që fare mirë mund t’ia ndryshonin rrjedhën e jetës. Dhe jo vetëm atij, por edhe familjes e të afërmve të tij. Ndërsa ishte larguar nga vendlindja e tij, Korça, dhe kishte ardhur në Tiranë, duke punuar plot pasion e dëshirë, pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, papritur, nga fundi i vitit 1974, një letra e shkruar nga një “koleg shkrimtar” në adresë të ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, me akuza tepër të rënda, bëri që Teodori të transferohej nga Tirana dhe të dërgohej në rrethin e Fierit, ku punoi për dhjetë vite.
Nuk mbaroi me kaq, pasi siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, letra që “kolegu shkrimtar” shkroi për Teodorin, alarmoi udhëheqjen e lartë të PPSH-së, e cila vuri në lëvizje të gjitha strukturat e saj, deri edhe Sigurimin e Shtetit, për të zbuluar e goditur jo vetëm Teodor Laçon, por edhe disa shkrimtarë të tjerë si Sabri Godo, Sotir Andoni, Faslli Haliti, Roland Gjoza, Moikom Zeqo, Koçi Petriti, Flora Mullaymeri etj., që përmendeshin dhe akuzoheshin në atë letër. Dhe nuk vonoi shumë që të merreshin masat ndaj tyre, ku si fillim i’u hoqën nga qarkullimi edhe disa prej librave që Teodor Laço dhe kolegët e tij kishin botuar deri në atë kohë…!
Letra e shkrimtarit, Hamza K., drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ku ai denoncon disa prej kolegëve të tij
Shokut Kadri Hazbiu, Ministër i Punëve të Brendshme
I dashur shoku Ministër
Po ju drejtoj këtë letër për disa nga ato problemet e letërsisë e të artit që më kanë shqetësuar dhe sipas porosisë së më dhatë Juve, kur ishit në aktivin e Partisë së Korpusit të Korçës, po i rendit si më poshtë:
Pa mohuar punën e mirë dhe sukseset që janë arritur në letërsi dhe artet te ne, pas fjalimeve të shokut Enver Hoxha të vitit të kaluar dhe pas Plenumit të IV-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe pa mohuar luftën që është bërë kundër shfaqjeve të liberalizmit në këto sfera shumë të rëndësishme të frontit ideologjik kulturor; mendoj se akoma nuk janë goditur deri në fund disa tendenca e shfaqje negative dhe nuk po kritikohet si duhet në shtypin tonë letrar (në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori”), disa vëllime me tregime, poezi, romane dhe drama; apo tregime poema dhe poezi të veçanta, një pjesë e të cilave për gabime të theksuara antisocialiste, u goditën nga Komiteti Qendror i Partisë dhe më vonë nga lexuesit.
Kështu p.sh.: janë kritikuar zyrtarisht tregimi “Fushata” i Sabri Godos, që nuk është i përmbledhur në librin me tregime “Zëra nga burime të nxehta”, “Pranvera e madhe”, dhe “Shënime të shkruara natën”, të Sotir Andonit, libri “Ajri i ftohtë i mesnatës”, i Teodor Laços (këta të dy janë kunetër dhe kanë pasur miqësi të ngushtë me Todi Lubonjën). Librat me poezi “Mozaik” të Roland Gjozës (ky është element i deklasuar dhe i është hequr e drejta e botimit), libri me poezi i Moikom Zeqos.
Gjithashtu, Faslli Haliti dhe Flora Mullaymeri, për përbërje të keqe familjare e për shfaqje të imoralitetit e liberaliste në qëndrimin dhe shkrimet e tyre pas Plenumit të IV-të të Komitetit Qendror të Partisë, për të dy u morën dhe masa administrative nga organet tona. Por e keqja qëndron se librat që përmenda më lart vazhdojnë të lexohen, sepse nuk u morën masa përkatëse nga Ministria e Arsimit e Kulturës për t’i hequr ata nga qarkullimi.
Gjithashtu në vend që të ndalohej botimi i librave me përmbajtje revizioniste, akoma vazhdon të botohen të tilla nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Dhe një gjë e tillë ndodh pikërisht pas vendimeve të Plenumit të IV-të të K.Q. të Partisë. Libra të tillë janë botuar “Në këtë qytet”, “Erdhi një nënë”, me vjersha të Frederik Rreshpjes dhe Milianov Kallupit, apo disa libra me vjersha të poetëve kosovarë si ato të Enver Gjergjekut dhe Ali Podrimjes etj. Shumica e vjershave në këto libra janë me ide të errëta, pacifiste dhe formaliste në thelb ato janë të shthurura si në përmbajtjen e tyre dhe në formën artistike. Edhe në gazetën “Drita” dhe në revistën “Nëntori”, po vazhdohet të botohen poezi të shthurura nga forma poetike, prozaike dhe jo të mbështetura në tabanin kombëtar. Le të marrim p.sh. një rast konkret:
Në revistën “Nëntori”, Nr.3, 1974, është botuar novela e Teodor Laços, “Ditë dhe netë që mund të vijnë”. Në këtë novelë, autori paraqet një pjesë të territorit tonë jugor të pushtuar (në kohën e sotme), brenda tre ditëve dhe tre netëve, nga një divizion grek (siç dihet një divizion ka 13 deri 14 mijë ushtarë, ja ku arrin absurditeti dhe fallsiteti); pa u bërë asnjë rezistencë nga ana e forcave tona të armatosura. Bile qysh në fillim të luftës, autori paraqet se ushtria jonë shpërndahet në çeta partizane dhe futet në guvat e maleve.
Në këtë novelë janë pasqyruar pikëpamjet armiqësore të Beqir Ballukut, i cili mohonte luftën e shkallës së parë në front të organizuar. Në novelë ekspozohen dhe variantet taktike që ne i përdorim në stërvitje, por që i mbajmë në konspiracion të plotë. Gjithashtu, kjo novelë tek ata që lexojnë përhap frikë dhe panik, sepse në atë mënyrë janë pasqyruar ngjarjet dhe situatat. Propozoj që t’i kërkohet autorit, me cilët specialistë ushtarakë është konsultuar për materialet e novelës, ndërsa ndaj tij të mbahet edhe qëndrim, sepse nuk e ka rastin e parë që shkruan kështu.
Në mënyrë masive te ne nga lexuesit, dhe sidomos nga rinia, lexohen librat artistikë që përkthehen nga gjuhë të huaja. Kam vënë re se disa libra të tillë të përkthyera kanë në qendër seksualizmin, vetminë, jetën boshe, vetëvrasjet, aventura dedektive, të botës perëndimore dhe imperialiste. Të tilla libra janë: “Familjet e mëdha”, “Vdekje në anije”, “Tre veta në barkë”, “Qeni i verdhë”.
Dhënia për lexim brezit të ri libra që përshkohen nga fenomene negative të shthurjes dhe degjenerimit; I dëmtojnë të rinjtë tanë dhe në radhët e tyre do të kemi të infektuar. Fakte të veçanta flasin se po përkthehen me shumicë libra artistikë të pakontrolluar nga përmbajtja dhe që të rinjtë, në mënyrë masive i tërheqin këto libra, duke nënvleftësuar botimet tona origjinale. Dhe çfarë ndodh më tej, të rinj të veçantë imitojnë në jetën e tyre veprime të personazheve negative libreske. Këtë do ta ilustroj vetëm me një shembull: megjithëse ka edhe raste të tilla.
Një oficer i ri, i quajtur Dashamir Turhani, efektiv i reparteve tona, vrau veten, prirej për të lexuar vetëm libra artistikë të Î përkthyera që pasqyronin vetminë; dhe vetëvrasjet nga që i mungonte formimi i duhur ideologjik, që me vështirësinë e parë që u ndesh në jetën personale, (përveç shfaqjeve të tjera negative që pasqyronte), u thellua në leximin e librave që trajtonin aktin e vetëvrasjes; ndërsa ditën që do të vriste veten kishte marrë për lexim romanin “Pjesëmarrës në vrasje”, në këtë roman kish nënvizuar paragrafë të tëra që e shtynin drejt aktit kriminal.
Mendoj se në qoftë se do të vazhdohet të botohen libra artistikë të përkthyera, apo origjinalë që nuk do të kenë përmbajtje revolucionare dhe që do të jenë të mbushura me filozofizma të sëmura dhe të përshkruara nga ide të ndërlikuara, siç e preka më lart do të na dëmtojnë edukimin e brezit të ri në të ardhmen.
Një çështje tjetër që më ka tërhequr vëmendjen dhe që mendoj të ngre në këtë letër është dhe ajo e përbërjes klasore së shkrimtarëve dhe artistëve. Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ka marrë në analizë këtë problem dhe u është hapur rruga e botimeve shumë shkrimtarëve me përbërje të keqe biografike.
Të tillë janë disa nga ata që njoh unë si: Koçi Petriti, Dhori Qirjazi, Sotir Andoni, Klito Fundo, Koço Ristani, Flora Mullaymeri, Teodor Laço, Roland Gjoza, Gjergj Zheji, Faslli Haliti, Niko Dako, e ndonjë tjetër, që sigurisht në situata të ndryshme, duke qenë elementë të tillë, disa prej tyre kanë nxjerrë kokën në forma të heshtura si në krijimet e tyre, ashtu dhe në qëndrimet ndaj diktaturës së proletariatit…!
“Sotir Andoni, i dënuar me burg, boton libra me mendime të verdha, kisha, xhami, manastire, hoxhallarë e priftërinj” Të marrim dhe të analizojmë vetëm dy nga këta që prekëm më lart: Sotir Andonin dhe Teodor Laçon. Sotir Andoni në vitin 1948 tentoi të arratisej në Greqi, por u kap në kufi dhe u dënua nga gjyqi i popullit. Si doli nga burgu për të rehabilituar veten filloi të shkruajë tregime, ndërsa në vitin 1960, i hapet rruga e botimit dhe ka botuar disa libra nëpërmjet miqve që ka në organet botuese, dhe në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve.
Ajo që ka rëndësi se të gjitha librat dhe shkrimet e Sotir Andonit përbëjnë dyshime dhe fenomenet në to nuk janë trajtuar nga pozita e realizmit socialist. Librat e tij trajtojnë tema të viteve ‘20-‘40 dhe janë të mbushura me kisha, xhami dhe manastire, me mendime të verdha, me tregtarë, çifligarë, priftërinj, hoxhallarë dhe me dallaveraxhinj. Duke i pasqyruar këta në libra si të arsyeshëm, bamirës ndaj popullit tonë, në novelën “Pranvera e madhe” nazistët gjermanë paraqiten si njerëz të sjellshëm dhe të arsyeshëm ndaj popullit dhe jo si shtypës dhe gjakpirës.
Të ndalem konkretisht te disa libra të Sotir Andonit. Në librin me tregime “Trokthet e kuajve në mesnatë” ka tregime që nxijnë realitetin tonë socialist dhe që poshtërojnë dinjitetin e popullit tonë. Në novelën “Pranvera e madhe”, gjermanët paraqiten si njerëz të sjellshëm ndaj popullit tonë, sikur nuk kishin ardhur në Shqipëri si okupatorë, por sa për të kaluar në Greqi apo gjetiu, në këtë novelë poshtërohet lufta jonë Nacionalçlirimtare.
Në romanin “Shënime të shkruara natën”, Lufta Nacionalçlirimtare pasqyrohet si një luftë komitësh që nuk udhëhiqet nga partia, po nga “intelektualët” e “kulturuar”, në novelën “I vogli e mund të madhin” se një nënoficer grek gjatë luftës italo-greke, “na edukon” rininë dhe fëmijët tanë dhe u futkërka në gjak “idetë e çlirimit”. Sipas autorit, idetë importohen dhe nuk janë burim i forcës së brendshme të një populli.
Në tregimin “Shkelja gazit Xhixhi”, ky element ofendon figurën e veteranit të Luftës Nacionalçlirimtare dhe sekretarit të Komitetit të Partisë, duke i nxjerre këta si dallkaukë dhe njerëz të allishverisheve. Tani, kohën e fundit, ky shkroi dhe një dramë të titulluar “Orteku i vjeshtës”, drejtori i Teatrit Profesionist të Korçës, Petraq Zoto, duke qenë se e ka fshatar, ia vuri në skenë në Teatrin e Korçës nga një regjisor me qëndrim të keq politik (vëllai i tij është dënuar për veprimtari spiunazhi), për përgatitjen e kësaj drame dhe rrogat e aktorëve janë harxhuar mi 25 mijë lekë të rinj, kur erdhi puna që t’i shfaqej publikut, me të drejtë u ndalua, sepse në këtë dramë villej vrer për luftën Nacionalçlirimtare dhe sipas saj, lufta jonë nuk u bë për pushtetin politik, por thjesht për kërkesa ekonomike, duke bashkëjetuar me të gjithë tradhtarët e vendit pas çlirimit.
Më keq ndodh se në bazë të ligjeve qeveritare, kur një pjesë artistike nuk shfaqet duhet që aprovuesit e saj të zhdëmtojnë arkën e shtetit, pa lëre pastaj masat e tjera që nuk u morën, por u kalua në heshtje.
Përveç krijimeve, Sotir Andoni nuk ka mbajtur qëndrim të mirë edhe gjatë kohës që ka qenë sekretar për propagandën Todi Lubonja. Ai, duke pasur miqësi të ngushtë me Todi Lubonjën, ishte përkrahës i shkrimeve liberaliste dhe i elementit të deklasuar, për shërbimet që i kishte bërë Todi Lubonjës, ky i fundit e mori në Radio-Televizor si redaktor dhe u dëbua nga Radio-Televizori, pas shkarkimit të Todi Lubonjës nga të gjitha funksionet. Po japim edhe një shembull tjetër.
Në revistën “Ylli”, Nr.1 Viti 1973, Sotir Andoni ka botuar një intervistë, ku ul sistemin tonë arsimor socialist për sa i përket mësimit të gjuhëve të huaja, duke ngritur lart sistemin arsimor në regjimin e fashizmit në Shqipëri. Po në këtë intervistë, ky “shkrimtar” lavdëron një mësues të asaj kohe, Virgjir Ballamaçi, i cili ka qenë anëtar i partisë fashiste “Garda di ferra” dhe pas çlirimit të atdheut ka mbajtur qëndrim të keq armiqësor ndaj pushtetit popullor.
Atëherë lind pyetja, si ky njeri (S. Andoni), që njihet për këto njolla në vend që t’i hiqet e drejta e botimit dhe të merren masa e të mbahet qëndrim ndaj tij, vazhdon akoma të botojë, ndërsa kritikët tanë dhe drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk i kursejnë fjalët e mira në adresë të tij, duke thënë se “është shkrimtar i talentuar”? Këto i kanë shkruar në shtypin e Lidhjes, në gazetën “Drita” dhe në revistën “Nëntori”.
Teodor Laço (kunati i Sotir Andonit), i ati ka jetuar dhe ka vdekur në SHBA. Në SHBA, i ati i Teodor Laços ka zotëruar pasuri kolosale, një pjesë të së cilës ua dërgonte dhe fëmijëve në Shqipëri në dollarë. Po ashtu, T. Laços dhe familjes së tij vazhdojnë t’i vijnë kartëmonedha nga SHBA. Edhe T. Laço, si S. Andoni, ka pasur shoqëri të ngushtë familjare me T. Lubonjën, duke i dhënë këtij të fundit edhe kostume dhe materiale të tjera, derisa T. Lubonja ndërhyn duke e transferuar në Tiranë, në Kryesi të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku punon edhe sot në sektorin e edukimit të këtij dikasteri.
Teodor Laço, me të vajtur në Tiranë, përkrahu pa hezitim krijimet letrare me shfaqje liberale. Në gazetën “Drita” shkroi një artikull për një dramë të Fadil Paçramit, ku e ngriti në qiell “talentin e madh” të Fadil Paçramit, sikur ky na paskësh qenë dramaturgu më i madh i Shqipërisë dhe si kjo dramë, rekomandonte Teodor Laço, duheshin shkruar.
Të njëjtin qëndrim mbajti Teodor Laço edhe ndaj poemës antisocialiste “Dielli dhe rrëkerat” të Faslli Halitit, me një artikull që botoi në gazetën “Drita”, sigurisht për të fshehur gjurmët në ndonjë rast edhe kritikonte, por në të njëjtën kohë edhe e mburrte Faslli Halitin, sikur na paskësh në shtyp një libër me vjersha shumë të mirë.
Libri me vjersha që lavdëronte Teodor Laço, për tendenca revizioniste, nuk u botua. Vitin e kaluar, pas fjalimit të shokut Enver të 15 marsit, kur po bëhej një luftë e madhe kundër shfaqjeve liberale në letërsi, e sidomos në poezi, Teodor Laço boton një artikull në gazetën “Drita”, duke lavdëruar pikërisht ato krijime dhe ata letrarë të rinj, që partia i kritikonte për shfaqje të huaja në shkrimet e tyre.
Në vitin 1972, Teodor Laço ka botuar një libër me tregime “Ajri i ftohtë i mesnatës”, ku shtrembërohet realiteti ynë socialist, ky shkrimtar shpif ndaj realitetit tonë në këtë libër, duke i veshur anët negative të panumërta, pa thënë asgjë pozitive ndaj socializmit, por që t’i zbulosh anët negative këtij libri, sigurisht është e vështirë, sepse i ka veshur me marifete artistike.
Përveç novelës armiqësore që përmenda më lart “Ditë dhe netë që mund të vijnë”, “Ajri i ftohtë i mesnatës”, Teodor Laço shkroi dhe një dramë me titull “Të jesh njeri”, në të cilën propagandon vetminë dhe diskrediton organet tona gjyqësore të R.P. të Shqipërisë, këtë dramë e paraqiti për ta vënë në skenën e Teatrit Popullor të Tiranës dhe Teatri i Korçës, por për të meta të tilla nuk u vu në skenë.
Ja cili është Teodor Laço, që sot çuditërisht drejton sektorin e edukimit në Lidhjen e Shkrimtarëve. Mendoj, shoku Ministër, se këto aktivitete nuk duhen parë si të shkëputura dhe të rastit, por duhet t’i analizojmë më thellë dhe me përgjegjësi, sepse këtu duket se ka kundërvënie ndaj Plenumit IV të Komitetit Qendror të PPSH-së, për letërsinë dhe artet.
Sidomos Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, duhet t’u rikthehen edhe një herë për studim dhe zbërthim fjalëve të shokut Enver të vitit të kaluar, dhe vendimeve të Plenumit V të K.Q të Partisë dhe të nxjerrin konkluzione për të marrë masat konkrete në këtë fushë, siç është letërsia dhe artet./ Memorie.al
Korçë dt. 14. 11.1974
Me respekt revolucionar
Anëtari i Partisë
Hamza K…..
Vijon numrin e ardhshëm