Nga Helidon Bushati
Kur u pyet së fundmi nga Televizioni francez dhe Zëri i Amerikës lidhur me korrupsionin në qeverisje, Edi Rama tha se është angazhuar në luftë ndaj këtij fenomeni.
Teksa bën propagandë, ka në dorë një aferë tejet të dyshimtë, që ka të bëjë me lotet e Unazës së Madhe.
Në çdo drejtim, bien në sy kriteret e vendosura enkas për të përjashtuar disa, e për të favorizuar ca të tjerë.
Ky është korrupsioni.
Në fillim, ka lënë jashtë kësaj gare operatorët ndërkombëtarë. Duke qënë se shuma është e madhe, ka një detyrim për të bërë tender të hapur ku të marrin pjesë dhe ato. Por, mjeshtrat e rilindjes u kanë lënë vetëm 30 ditë kohë kompanive të huaja që të bëjnë gati në shqip qindra faqe dokumente.
Tenderi është njoftuar me 16 gusht, dhe afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit ka qënë 15 shtatori.
15 kritere penalizuese për disa dhe të qepura enkas për ca të tjerë janë vendosur, duke i krijuar komisionit të vlerësimit hapësirën e duhur për të marrë vendimin për fituesin e paracaktuar.
Kërkojnë edhe kualifikimet akademike të stafit. Apo edhe skema onganizative të ekipit. Aq më shumë në kushtet kur kemi të bëjmë me 7 lote, dhe rruga nuk do të jetë e vlefshme deri në përfundimin e të tërës. Pra kemi të bëjmë vetëm me ndarje favoresh dhe privilegjesh.
Shihni çfarë ndodh me lotin e 3-të, që ka edhe vlerën më të madhe prej 25 miliardë lekësh. Për këtë, kërkohet numri më i ulët i punonjësve, stafit kryesor dhe paisjeve të kompanisë. Kurse në lotin më të vogël, me vlerë 18 miliardë lekë, duhen kapacitete sa dyfishi i asaj që kërkojnë për lotin më të madh. Lojëra me lotët dhe sidomos me paratë e shqiptarëve.
Partia Demokratike dhe unë si përfaqësues në Kuvend, do të luftojmë pa kompromis për të siguruar transparencë dhe për të parandaluar abuzimin e qeverisë.