Pas fjalës së ish-kryeministrit Sali Berisha, në Foltore e mori fjalën aktivistja republikane, Evi Kokalari.
Aktivistja Evi Kokalari tha se i vinte mirë që shihte shumë flamuj të SHBA në sallë. Ajo tha se diaspora është e interesuar për zhvillimet në vend. Kokalari bëri një denoncim të fortë
“Zoti Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi është këmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lulzim Bashës, një dosje që ekziston në Shqipëri dhe në Amerikë. Kjo është e vetmja arsye pse është përjashtuar Sali Berisha,” tha ajo, duke shpjeguar se bëhet fjalë për një dosje lobimi në SHBA.
“Në një periudhë të shkurtër kohe, çfarë më ka bërë përshtypje, është që brenda 3-4 muajsh PD ka paguar 750 mijë dollarë për të lobuar në Amerikë. Është shumë. Një pjesë e këtyre parave, sepse Lulzim Basha nuk donte që të merrej vesh në Shqipëri se nga kishin ardhur, vendosi të përdorë një kompani me origjinë rusë, që bëri kontratë me një firmë lobimi në Amerikë, sikur ata po bënin një konsulencë për organizatat shqiptaro-amerikane që do investonin në Shqipëri. Kjo është ilegale në Amerikë. Fillimisht kjo nuk doli, por kompania që Lulzim Basha po përdorte në Amerikë pati disa probleme me ligjin. Lulzim Bashës iu hoq e drejta e vizës për 2-3 vjet. Në këtë moment kjo dosje është mbyllur me kushtin që ai të nxirrte nga Grupi Parlamentar, Sali Berishën. Me gjithë frikën që Lul Basha ka pasur, se unë mund të bëhesha kryetare e PD-së, do kthehem në Amerikë dhe bashkë me shqiptarë të diasporës do kontrollojmë nëse Basha guxon të futet në Amerikë, që do të thotë ka marrë vizë, ne do e bëjmë problem dhe do ta çojmë këtë dosje në Kongres“, tha ajo.
Lidhur me diskutimet online nëse ajo do bëhet kryetare e PD, Kokalari tha: ‘Unë nuk kam nevojë të bëhem kryetare e Partisë Demokratike pasi ne e kemi kryetarin e Partisë Demokratike, ai është Sali Berisha’.