“Kukullat e Ramës nuk kanë fuqi të përballen me opozitën. Beteja jonë vazhdon”, Agron Gjekmarkaj thirrje Kryetares së Kuvendit: Mos u bëj çertifikuese e dëshirave të Ramës
DEKLARATA E KRYETARIT TË KOMISIONIT TË ARSIMIT DHE MEDIAS, AGRON GJEKMARKAJ
Opozita u paraqit në sallën e Komisionit të Edukimit dhe Medias. U paraqit aty në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. U paraqit aty për të respektuar parlamentarizmin dhe lirinë e fjalës në Shqipëri. Por siç ju po e kuptoni dhe po e shihni gjindemi përballë një situate absurde, jo rastësore, të vetëdijshme.
Maxhoranca nuk u paraqit sepse nuk do ballafaqimin me opozitën. Kukullat e Edi Ramës nuk kanë fuqi të përballen me opozitën. Ata nuk duan të diskutojnë për çështjet e arsimit në Shqipëri, për fëmijët që braktisin Shqipërinë dhe prindërit, ketë plagë të madhe të emigracionit.
Nuk duan të flasin për shkollat që mbyllen. Nuk duan të flasin për dy orë mësim në ditë që zhvillohet në shkollat publike shqiptare.
Pra, kanë shumë gjëra të cilat ata duan t’i kalojnë në mënyrë që të mos përballen me opozitën.
Çështja është se kjo është një qeveri që ka dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, i konvenon që të shmangë çdo debat themelor për çështjet e vendit, për çështjet institucionale.
Opozita është këtu për të ruajtur ligjet e vendit, për të mbrojtur Kushtetutën.
Opozita nuk lutet.
Opozita nuk është e vogël.
Opozita përfaqëson shumicën e qytetarëve shqiptarë sepse ne dimë që në 25 prill zgjedhjet në vend janë masakruar.
Ne do të jemi këtu për betejë të përditshme, betejë me qeverinë, betejë me regjimin i cili ka dalë nga shitblerja më e paskrupullt që ka ndodhur në 30 vite të historisë së Shqipërisë. Dhe të jeni të sigurt që nuk do ta ketë të lehtë Edi Rama përballjen me opozitën e Shqipërisë.
Pyetje: U konstituua komisioni?
Agron Gjekmarkaj: Komisioni nuk u konstituua sepse opozita nuk ka shumicën, duhet kuorimi i nevojshëm në bazë të ligjit por opozita u paraqit aty në mënyrë që të fillonte punën normalisht. Pjesëtarë të maxhorancës, siç ju e patë, nuk erdhën sepse kanë urdhër që të mos vijnë. Unë përfitoj nga mikrofonat tuaj, kolegë të nderuar, t’i bëj thirrje kryetares së Parlamentit, znj.Lindita Nikolla, të mos bëhet thjesht certifikuese e dëshirave të Edi Ramës, të mos e konsiderojë atë një benefaktor për vendin e kryetares së Parlamentit, por të ndjekë shembujt më të mirë të parlamentarizmit shqiptar, Pjetër Arbnorin, Servet Pëllumbin; jo ata shembuj që kanë denigruar dhe dhunuar opozitën sepse edhe nëse ata duan nuk do t’ia dalin dot. Opozita i ka të gjitha instrumentat të reagojë dhe të vetëmbrohet. Por mbi të gjitha të vetëmbrohet në emër të shoqërisë shqiptare që kërkon ndryshim dhe kërkon respektimin e ligjeve të vendit.