Kina shfrytëzoi në mënyrë të pamëshirshme pandeminë Covid si pjesë e qëllimit të saj për të arritur dominimin global. Përfundimi vjen nga ish-shefa të spiunazhit dhe diplomatë. Kupola e vendit komunist, e akuzuar për fshehjen e origjinës së sëmundjes pas dyshimeve për një rrjedhje nga laboratori, thuhet se ka përdorur krizën për të shtuar kontrollin mbi njerëzit e saj, por edhe të fitonte avantazhe në luftën ekonomike kundër rivalëve perëndimorë.
Ekspertët theksojnë se ekonomia e Kinës po lulëzon sërish pothuajse dy vjet pasi virusi u zbulua për herë të parë në Wuhan. Në krahun tjetër SHBA ka pësuar recesionin e saj më të keq me dhjetëra milionë njerëz të papunë ndërsa rivali kryesor India është në kaos. Kina hapi edhe një luftë tregtare me Australinë bashkë me kërcënimet për ta goditur atë me raketa bërthamore në hakmarrje për kërkesën e saj për një hetim.
Ditët e fundit në Britani është publikuar një libër që hedh dyshime shokuese se Covid doli nga Instituti i Virologjisë në Wuhan, një strukturë e sigurisë së lartë e specializuar për koronaviruset. Dhjetëra shkencëtarë kanë sugjeruar se Covid mund të ketë dalë nga laboratori përmes një studiuesi të infektuar. Por kjo nuk u pranua asnjëherë nga Pekini.
Libri mban firmën e Sharri Markson, me titull “Çfarë ndodhi vërtet në Wuhan” ka zbuluar një varg të dhënash që tregojnë përpjekjen e Pekinit “të menduara mirë” për të fshehur të vërtetën. Janë ish-shefa të inteligjencës që thonë se ka provat të një “aksidenti” laboratorik dhe se ka pasur një fshehje të incidentit të llogaritur “që nga dita e parë”.
Sipas tyre kishte një periudhë “intensive” dhe “aktivitet të pazakontë dhe të pashpjeguar” në Wuhan në javët para pandemisë duke ngritur dyshimet për një shpërthim virusi që u pasua nga një sterilizim masiv në laborator. Aeroporti i qytetit u mbyll për ditë të tëra, pati një ndërprerje të valëve të telefonisë celulare dhe siguria u rrit masivisht në vend.
Disa nga dëshmitë kryesore të veprimtarisë së pashpjegueshme që Markson paraqet në librin e saj është pyetja e vazhdueshme në lidhje me bazat e të dhënave të viruseve të fshira në Wuhan për të cilat disa kanë spekuluar se mund të shpjegojë origjinën e Covid.
Baza e të dhënave që përmban 22 mijë viruse u fshi më 12 shtator 2019, tre muaj para se Kina të paralajmëronte zyrtarisht botën për virusin.
Në të njëjtën ditë laboratori i Wuhanit shtoi shpenzimet dhe rriti sigurinë, zëvendësoi sistemet e ventilimit të ajrit dhe blenë një incenerator të ri të mbeturinave. 2 muaj më vonë në Nëntor, laboratori bleu gjithashtu një makinë të re të testimit të PCR – një paketë që është bërë kaq e njohur në botë që nga pandemia. Ndërkohë, duket se ka pasur një sterilizim masiv të laboratorit dhe një bllokim të rrugëve që në tetor 2019. Kontrollet në rrugë raportohet të jenë ngritur rreth laboratorit dhe kishte një ndërprerje të valëve të telefonit celular rreth objektit.
Një ish-zyrtar i administratës së Donald Trump e përshkroi këtë aktivitet si “në përputhje me protokollin për një incident biologjik që ndodh në një laborator”.
Gjatë të njëjtës periudhë fluturimet e linjave ajrore që largoheshin nga wuhan u ndërprenë, me një numër jashtëzakonisht të lartë anulimesh. Ndërkohë një stërvitje ushtarake kundër koronaviruseve u krye gjithashtu në aeroportin e Wuhan dhe në spitalet e qytetit vetëm disa muaj para pandemisë.
Për gazetaren investigative, kjo është dëshmi e rëndësishme që kombinuar me intervistat dhe hulumtime të tjera çon në përfundimin se virusi ka shumë të ngjarë të ketë ardhur nga laboratori.
Kina ka refuzuar të bashkëpunojë për një hetim të plotë për origjinën dhe ekspertët thonë se fshehja po vazhdon edhe sot.
Ata thonë se shkatërrimi që solli përhapja e virusit në të gjithë botën është kthyer në një avantazh strategjik të Kinës – qoftë i qëllimshëm apo jo.
Ish-shefi i MI6, Sir Richard Dearlove thotë: “Shikoni pasojat e asaj që ka ndodhur. Nëse ata donin të përshpejtonin suksesin e tyre ndërkombëtar dhe dominimin përballë vendeve rivale, ata nuk mund ta kishin bërë atë në mënyrë më efektive. Shikoni se çfarë po ndodh në Indi. Shikoni se çfarë i është bërë ekonomisë amerikane. Është e qartë se shtetet autoritare janë më të afta për të kontrolluar popullsinë e tyre përballë një pandemie sepse ato mund të vendosin menjëherë kontrolle të cilat popullata nuk i vë në dyshim.”
Rrëzimi Ekonomik i SHBA
Karantina e parë i Amerikës në pranverën e 2020 e çoi ekonominë më të madhe në botë në rënie të lirë pasi bizneset duhej të mbylleshin. Një rekord prej 22 milionë amerikanë humbën punën e tyre. Qeveria shpenzoi gati 6 trilionë dollarë për lehtësimin e pandemisë. Dhe kjo nuk llogarit koston njerëzore: deri më tani 684 mijë amerikanë kanë vdekur nga Covid dhe miliona të tjerë vuajtën sëmundjen e rëndë.
India në kaos
Ndryshe nga Kina, autoritetet në Indi mund të bëjnë pak për të ndaluar përhapjen e virusit në një popullsi aq të dendur. Spitalet u pushtuan në mënyrë të pashmangshme nga miliona pacientë dhe krematoriumet punuan ditë e natë për të përballuar vdekjet në rritje. Zyrtarisht janë rreth 447 mijë të vdekur, por mbajtja e dobët e regjistrave do të thotë se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë herë më i lartë. Pandemia ka qenë një goditje e madhe për shpresat e Indisë për të zëvendësuar Kinën si “fabrika e botës”. Ekonomia e Indisë në rritje u tkurr me 24% në fund të vitit të fundit fiskal. Në kulmin e pandemisë hakerat kinezë thuhet se shënjestruan rrjetin elektrik të Mumbait, duke zhytur spitalet në errësirë. Analistët thonë se ky ishte një paralajmërim për të mos “tejkaluar kufirin” pas përplasjeve vdekjeprurëse kufitare në Himalaje.
Lufta tregtare
Në maj 2020, Australia ishte vendi i parë i madh që zyrtarisht bëri thirrje për një hetim mbi origjinën e shpërthimit të Covid. Presidenti kinez Xi Jinping u tërbua dhe u përgjigj me sanksione shkatërruese tregtare dhe tarifa mbi eksportet australiane si mishi dhe qymyri. Taksa mbi elbin, një eksport kyç, u vendos në 80.5% ndërsa detyrimi për verën australiane ishte mbi 200%. Kërcënimet për të sulmuar Tajvanin u përhapën në Australi, me paralajmërime kërcënuese për sulme të mundshme me raketa. Përplasja shpërtheu përsëri këtë muaj pas një marrëveshjeje që Australia bëri për nëndetëset me Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo pasi Kina kërcënoi të sulmonte Australinë dhe paralajmëroi për një garë të re armatimi.
Kina “boom” ekonomik
Kina vendosi karantinën më të rreptë në botë që në fillim të vitit 2020, me miliona njerëz të ndaluar të dalin nga shtëpitë e tyre. Si rezultat, ekonomia kineze u tkurr vetëm me 6.8% në tremujorin e parë – një rënie shumë më e butë se gjetkë. Vendi u kthye shpejt në normalitet, pasi zyrtarët shpallën se pandeminë e kishin vënë nën kontroll dhe rihapën fabrikat, dyqanet dhe klubet e natës. Në vitin 2020 Kina ishte e vetmja ekonomi e madhe që regjistroi rritje ekonomike me 2.3%. Pekini ka vendosur një objektiv rritjeje prej 6% këtë vit, ndërsa pjesa tjetër e botës vazhdon të tërhiqet zvarrë nga efektet e pandemisë.
Kontrolli total
Karantina e ashpër e vendosura në janar 2020 tregoi se autoritetet kineze kishin kontrollin total mbi jetën e qytetarëve. Banorët në Ëuhan, një qytet me 11 milionë banorë, u mbajtën brenda apartamenteve të tyre nga roje të armatosura dhe iu desh të blinin ushqime nga komitetet e lagjeve të drejtuara nga Partia Komuniste Kineze. Analistët thonë se Pekini e ka përdorur sëmundjen për të forcuar gjendjen e tij tashmë të tmerrshme të mbikëqyrjes së Big Brother.
Një ushtri prej të paktën 1 milion persona punon gjatë gjithë kohës për të censuruar mediat sociale dhe për të raportuar çdo shenjë kundërshtimi. Kamerat e njohjes së fytyrës në çdo cep monitorojnë emocionet e njerëzve dhe përdorin teknologjinë për të llogaritur rezultatin e tyre të “besueshmërisë shoqërore”.
Fqinjët inkurajohen të vlerësojnë njëri -tjetrin duke përdorur aplikacione smartphone. Dahlia Peterson, nga Universiteti Georgetoën, tha për “The Sun” se “me programe të tilla si “Sytë e Mprehtë”, qeveria kineze në mbarë vendin ka bindur me sukses qytetarët që të marrin pjesë në vëzhgimin e njëri-tjetrit. Pjesa më e frikshme është se shumë njerëz brenda Kinës janë të pavetëdijshëm për nivelin e vërtetë të mbikëqyrjes dhe ende e mirëpresin atë si një burim sigurie”.
Luftë përmes propagandës
Një betejë agresive e PR, për të bllokuar raportet negative është një pjesë tjetër e strategjisë së Kinës. Tani ka shkuar aq larg sa të mohojë se virusi nisi në këtë vend. Shkencëtarët kryesorë të Kinës që i shkruan revistës Lancet të hedhë poshtë pretendimet e rrjedhjes së virusit nga laboratori duke e konsideruar një “komplot”.
Facebook gjithashtu ndaloi çdo postim që pretendonte se virusi ishte bërë nga njeriu (për kënaqësinë e Pekinit) ndërsa një ushtri e “luftëtarëve të tastierës” kineze përhapi një mit që pretendonte se virusi e kishte origjinën në një laborator të Ushtrisë Amerikane.
Këtë vit një hetim i OBSH-së që mbështet narracionin zyrtar të Pekinit u quajt një “tallje” pasi u zbulua se disa nga shkencëtarët kishin lidhje me Kinën.
Matt Turpin, ish-kreu i tryezës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Kinë thotë se “kishte një fushatë masive nga kompiuterët për të bërë gjithçka që mundnin për të diskredituar të gjithë historinë se covid kishte ardhur nga një laborator.
Ish-shefi i MI6, Dearlove tha: “Ju mund të vini bast për dollarin tuaj të fundit që Ministria e Sigurisë së Shtetit në Kinë ka qenë në kontroll të historisë që nga dita e parë dhe e gjithë gjëja ka qenë një operacion global dezinformimi. Unë jam absolutisht i sigurt se historia kineze ishte plotësisht dominuese dhe bashkëpunimi me kinezët është skandaloz”.
Ish-sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo thotë se “kjo ishte një përpjekje gjithëpërfshirëse, e menduar mirë, e përqendruar në Pekin, e vazhdueshme për të errësuar çdo kapacitet për OBSH, çdo vend perëndimor ose ndonjë shkencëtar për të përcaktuar pacientin zero dhe origjinën e këtij virusi. Dhe kjo po vazhdon. Kjo është një nga gjërat që njerëzit nuk e kuptojnë. Manipulimi vazhdon”.
Ish-diplomati i lartë amerikan në Azinë Lindore, David Stilëell, tha se “kjo është fshehja e shekullit. Kjo e bën watergate të duket pupël”.
Kina ka deklaruar vazhdimisht se nuk është përgjegjëse për pandeminë globale dhe ka hedhur poshtë akuzat e atyre që thonë se virusi është prodhuar nga njerëzit.