BallinaEkonomiKapja e shtetit/ Si i mbylli sytë qeveria për çmimin e bukës...

Kapja e shtetit/ Si i mbylli sytë qeveria për çmimin e bukës dhe kontrollin e tregut

Rritja e çmimit të bukës me 10 lekë ditët e fundit e vuri në qendër të vëmëndjes tregun e miellit dhe produkteve të tij në vend. Prej vitesh institucionet shtetërore ishin duke kryer një hetim dhe rritja e çmimit erdhi në prag të marrjes së vendimit. Por në vend që kompanitë e mëdha t’i trembeshin ndëshkimit, ndodhi e kundërta. Ato rritën çmimin e bukës me 10 lekë dhe pastaj i shpëtuan një gjobe të majme, prej disa miliona euro. Por çfarë ndodhi në prapaskenë dhe përse u tolerua ekzistenca e një marrëveshjeje të fshehtë për fiksimin e çmimeve?

Hetimi

Kompanitë e mëdha të importit të grurit u hetuan që nga janari i vitit 2017 deri në gjysmën e vitit 2019 nga Autoriteti i Konkurencës. Qëllimi ishte të zbulohej, nëse këto kompani kishin një marrëveshje të fshehtë me anë të së cilës fiksonin çmimet duke krijuar një situatë monopol. Shqipëria furnizohet me grurin që vjen nga Rusia (rreth 200 mijë ton në vit) dhe çmimi i produkteve të miellit këtu varet drejtpërdrejt nga tregjet e huaja thuhet në raportin që përgatiti Komisioni i Autoritetit të Konkurencës.

Në shënjestër qenë kompanitë AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK. Nga hetimi doli se kompanitë e importit të grurit kishin krijuar një situatë monopoli në treg, duke kontrolluar çmimin përmes bashkërendimit me njëra-tjetrën.

“Çmimi mesatar i shitjes së miellit nga ndërmarrjet e blojës nuk ndjek luhatjet e çmimit të grurit dhe trendi i ndryshimit të tij është i njëjtë për të gjitha ndërmarrjet,” shkruhej në raport.

“Pavarësisht nga ndryshimet e dukshme të çmimit të grurit, trendi i çmimit të shitjes së produktit miell për ndërmarrjet Agroblend, Miell Tirana, Bloja dhe Atlas është paralelisht i njëjtë, duke mos reaguar në asnjë rast të ndryshimit të çmimit CIF,” shkruhet në vendimin e hapjes së hetimit të thelluar.

U kërkua nga kompanitë e mëdha, që të mos caktoheshin çmimet e blerjes apo të shitjes mes tyre, të mos kontrolloheshin investime, të mos kishte ndarje të tregjeve etj. Një vit nën monitorim kaloi shpejt. Kompanitë nuk ndryshuan sjellje dhe Sekretariati kërkoi vendosjen e një gjobe prej disa miliona eurove.

Votimi

Bordi i Autoritetit të Konkurencës nuk e miratoi gjobën për kompanitë e importit, megjithëse kompanitë sapo kishin rritur njësoj çmimin e bukës ditët e fundit. Pavarësisht hetimit të thelluar që kërkoi ndëshkimin e kompanive, gjoba nuk u vendos. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës Juliana Latifi dhe zëvendëskryetari Eduard Ypi votuan pro, ndërsa kundër votuan tre anëtarët Leida Matja, Adriana Berberi dhe Denar Biba.

Bazuar në ligjin për mbrojtjen e konkurrencës gjoba për kompanitë që shtrembërojnë tregun gjoba shkon deri 10% të xhiros vjetore të vitit paraardhës të kompanive. Vendimi i zbardhur për këtë çështje do të bëhet publik brenda 15 ditësh.

Mbrojtja e qeverisë

Kryeministri Rama ka qenë në dijeni të problematikës, por e ka shmangur përgjigjen e tij. Kur u pyet në datën 10 shtator për rritjen e çmimit të bukës, ai devijoi me faktin se ende nuk e kishte formuar qeverinë.

“Ne akoma nuk e kemi formuar qeverinë. Kur të formojmë qeverinë do jem këtu për t’u përgjigjur për çdo shqetësim. Më shfrytëzoni për të më pyetur për gjëra që kanë të bëjnë për të mirën e vendit. E shkuara nuk është problem i Partisë Socialiste. Ne jemi e ardhmja”, u shpreh Rama.

Bordi i Autoritetit të Konkurencës nuk ka dalë të mbrojë vendimin për të mos ndëshkuar me gjobë kompanitë, që vetë kishte cilësuar si pjesë të një tregu të bashkërenduar. Avokatinë ia ka bërë zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që tha se anëtarët e Autoritetit të Konkurrencës ishin profesionistë dhe se investigimi është bërë i thellë.

“Unë kam besim tek autoriteti i konkurrencës, ata janë profesionistë kështu qe edhe si një ent i pavarur e respektoj vendimin e tyre. Sa më përket mua, vendimi që ata kanë votuar që nuk ka monopol në tregun e miellit dhe që nuk ka marrëveshje horizontale, siç referohet teknikisht në këto raste, praktikisht i besoj që janë bërë një investigim të thellë. Dhe kanë votuar më përgjegjshmëri institucionale, qytetarë dhe profesionale”, tha Ahmetaj.

Por ndryshe nga ai ka folur paraardhësi i tij në detyrë, Erjon Braçe, që tha se nuk ka asgjë profesionale në vendimin e anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës. Pasi analizon vendimin e Komisionit që kërkoi gjobë për kompanitë e mëdha, Braçe shkruan:

“Asgje profesionale nuk ka ne vendimin e tre komisionereve dje, zero!
Thjesht anembajtje e tyre ndaj kater ndermarrjeve kunder popullit, INTERESIT PUBLIK!
Eshte skandaloze por fakt; Deri ne 1990, cmimet ne treg i caktonte qeveria dhe ne favor te popullit-sipas saj, SOT, TANI, CMIMET I CAKTOJNE KATER NDERMARRJE DHE NE FAVOR TE FITIMIT TE TYRE-FAKT! Diference me te neveritshme dhe kunder shumices nuk ka!”/Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular