Partia Demokratike ka reaguar pas dorëheqjes së Ardi Veliut nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi teksa rendit dështimet e Ardi Veliut thotë se sot në krye të Policisë së Shtetit ka një bandit më pak.
Sipas Bardhit, largimi i tij nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është i detyruar, pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës.
“Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve. Kjo histori do të përsëritet përsa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Gazment Bardhit.
Deklarate e Sekretarit te Pergjithshem te PD, Gazment Bardhi
Në krye të Policisë së Shtetit sot ka një bandit më pak. Ardi Veliu ka qenë çdo ditë në shërbim të grupeve kriminale dhe rrjeteve të caktuara të trafikut ndërkombëtar të drogës. Largimi i tij është i detyruar, pavarësisht rezistencës së gjatë të Edi Ramës.
Nën drejtimin e policisë nga Ardi Veliu:
❌ Shqipëria u rendit ndër vendet kryesore për trafikimin e drogave nga kokaina tek kanabisi.
❌ Departamenti i Shtetit e futi Shqipërinë ne listën e vendeve kryesore për pastrimin e parave të pista.
❌ Të drejtat dhe liritë e qytetarëve u përkeqësuan, duke kulmuar me vrasje në rrugë të të rinjve dhe me rrahje të minorenëve.
❌ Dhuna e ushtruar ndaj opozitës ishte e paprecedentë.
❌ Policia u përdor në zgjedhje, krah përkrah banditëve, për të blerë vota për partinë në pushtet.
Ardi Veliu nuk është as i pari, as i fundit drejtor policie që gjatë këtyre 8 viteve largohet me turp, duke i shkaktuar dëme të mëdha vendit dhe qytetarëve. Kjo histori do të përsëritet përsa kohë shefi i ardivelinjve, Edi Rama, të jetë partneri kryesor i krimit të organizuar. Pa largimin e Edi Ramës, nuk ka për të patur kurrë luftë serioze ndaj krimit, policët e ndershëm do të vazhdojnë të ndihen të tradhëtuar dhe të demotivuar, si dhe ngjarjet e rënda kriminale do të vijojnë të trondisin qytetet tona.