“Cari i PD-së ka ç’t’i bëjë Pjetër Arbnorit. Dhe, besa, i ka bërë boll, deri sa e ka lënë jashtë Parlamentit dhe pa punë, pa rrogë. Ai është përjashtues”.
Këto janë ndoshta fjalët dhe vlerësimi i fundit që Pjetër Arbnoni ka thënë për Sali Berishën. Biseda zhvillohet në mes të verës së vitit 2006. Uran Butka, që e risjell në këtë kohë kur Berisha është lënë jashtë grupit të PD-së, thotë se kjo ishte “kafja e fundit me Pjetër Arbnorin”.
Më tej dialogu i risjellë i thotë të gjitha. Një qëndrestar i pathyer nga regjimi komunist, që ndihet i pafuqishëm për të ndryshuar “Carin” e ri në PD, tashmë Kryeministër. “Ai është përjashtues”, thotë Pjetër Arbori. Edhe më shumë lexohet në rrëfimin e Butkës.
Biseda e të dyve e cilëson qartë Berishën si një njeri që nuk e sulmon demokracinë, votën brenda PD-së, por edhe si një person që nuk e ndihmoi në fund të jetës Arbnorin, “mikun” politik të gjithë atyre viteve.
Biseda e sjellë nga Uran Butka është rrëqethëse po të kesh parasysh malin e diturisë dhe vuajtjes që përfaqëson Pjetër Arbnori.
“Gjatë këtij viti i kam kërkuar takim për punën time, se nuk jam as në qiell, as në tokë, po nuk më ka pritur. Së fundi, më dërgoi një mesazh me celular: ‘Takohu me shefin e kabinetit, Arben Imamin’”.
Arbnori vdiq pas kësaj bisede, pas një operacioni që nuk rezultoi i suksesshëm.
URAN BUTKA
Një ditë para se të shkonte nga kjo botë, Pjetër Arbnori më mori në telefon.
Pimë një kafe? – më pyeti. – Te Kullat.
-Mirë, – i thashë dhe u nisa.
Për çudi nuk lamë orë të caktuar. E nënkuptuam kohën. Në lokalin luksoz të katit të dytë prita veç disa sekonda. Ishte veshur me një kostum gri të hapur në të bardhë, që i shkonte shumë dhe e tregonte më të ri. Fytyrëqeshur dhe i qetë, si gjithnjë.
Porositëm kafet.
-Nesër do të shkoj në Itali, – më tha. – Jam i ftuar në një takim ndërkombëtar. A mund t’i bashkosh të dyja temat në një?
-Patjetër.
Të nesërmen, në ditën ndërkombëtare të viktimave, do të bëhej një konferencë në Tiranë, ku do të fliste Arbnori për viktimat e burgjeve komuniste, ndërsa unë për viktimat e jashtëburgjeve.
–Nëse më lejon, do të them edhe për ju diçka, kuptohet për përpjekjen politike socialdemokrate, që u bë shkak për burgimin tënd, – i thashë.
-Fol për ata që s’janë më, për ata që s’ka kush flet, jo për ne të gjallët.
-Unë flas edhe për të gjallët, edhe për të vdekurit.
-E di.
U bë një heshtje e gjatë. I rrufitëm të menduar kafetë.
M’u duk sikur dallova në thellësi të syve të tij një hije trishtimi.
–Zoti Pjetër, – i thashë, – ju keni arritur në jetën tuaj disa kulme. Ishit në burg dhe mund të mos kishit dalë i gjallë. Por ja që qëndruat fort dhe dolët. Pak i moshuar, burgaxhi dhe punëtor krahu jashtë burgut, por jashtë një burgu tjetër më të madh, mund të mos krijonit dot familje. Por ja që e krijuat një familje të mirë dhe kini dy fëmijë të mrekullueshëm. Arritët të bëheshit Kryetar Parlamenti dhe të dilnit s’andejmi me qafë të hollë dhe me faqe të bardhë. Së fundmi, keni botuar disa libra, që ju kanë nderuar në fushën e letrave. Jeni një personalitet që e kapërceni edhe PD-në. I paprekshëm. Atëherë, përse nuk e ngrini zërin më fort, zoti Pjetër?
U habita edhe vetë për ato që thashë me një frymë. Siç duket, më ishin mbledhur brenda vetes mendimet dhe dolën natyrshëm.
Ai nënqeshi, po nuk foli.
Unë qëndrova në timen:
-Kur Cari i PD-së e shton zullumin dhe flak tej çdo zë ndryshe, pse nuk e pengon? Ti ke të drejtë më tepër se kushdo tjetër ta bësh këtë gjë.
-Të gjithë e kanë këtë të drejtë.
Unë sërish ngulmova.
-Dikur, Cari i Rusisë ishte në përplasje me Tolstoin. Gazetat e Perëndimit shkruanin: “Cari s’ka ç’t’i bëjë Tolstoit, Tolstoi ka ç’t’i bëjë Carit”… Ty Pjetër, s’ka ç’të të bëjë Cari i PD-së!
-Ti mendon se kam frikë? Frikën e kam humbur qysh kur provova burgun, vdekja s’më hyn në sy, se e kam prekur disa herë.
-Edhe në grevën e urisë për një grimë shkove e vajte në atë botë.
-E kisha përnjëmend.
-Nuk bëhet fjalë, – i thashë. – Ishte grevë për fjalën e lirë.
-Pikërisht.
-Po kur fjala e lirë shpesh pengohet edhe brenda PD-së, si i bëhet? Mos duhet të heshtim?
-Përballjen kryesore e kemi me pushtetin, – tha ai.
-Ndërsa unë mendoj se përballjen e parë duhet ta kemi me veten
-Të përgëzoj për kurajën që ke. Për çdo gjë që s’ecën ti e ngre fort zërin, qoftë edhe ndaj Njëshit. Ndërsa unë kam mënyrën time të të thënit të gjërave. Qetë-qetë. I kam shprehur mendimet në Kryesi, por ia kam thënë edhe veçmas Berishës në zyrë, megjithatë ai nuk ndryshon. Ashtu është gatuar. Edhe gjatë këtij viti i kam kërkuar takim për punën time, se nuk jam as në qiell, as në tokë, po nuk më ka pritur. Së fundi, më dërgoi një mesazh me celular: “Takohu me shefin e kabinetit, Arben Imamin”!?
-E pabesueshme! – ia prita unë.
-Ja që është e vërtetë.
-Nuk është më e dobishme t’i themi gjërat vetëm midis nesh, duhet t’i themi me zë të lartë, që të na dëgjojnë edhe të tjerët. Si do ta ndryshojmë mendësinë apo ndërrimin e tyre? Qoftë edhe të Njëshit…
-Kjo gjë nuk bëhet menjëherë, kërkon durim dhe kohë.
-Po kohën njerëzit e bëjnë. Dhe kur koha kalon, çdo gjë bëhet edhe më e vështirë, ndoshta e pakohë. Aq më tepër që në PD po bjerret demokracia dhe theket autoritarizmi i Njëshit.
-Shqiptarët ende shkojnë verbërisht pas më të fortit, pas Njëshit, jo pas arsyes.
U nder mes nesh një heshtje e mundimshme. Për herë të parë, në thellësi të tij vura re një trishtim të pashprehur. Asnjë herë ai nuk ishte thyer, ndoshta as tani, por gjithsesi mërzia e tij e dëlirtë më preku.
-Kur unë kandidova për kryetar të PD-së duke rivalizuar Berishën, ai ma largoi nga komisioni i numërimit të votave përfaqësuesin tim në atë komision. E dërgoi me shërbim në Shkodër, megjithëse ishte ditë e “dile”…
-E di. Kjo ndodhi edhe me mua, katër vjet më pas, më 2001-shin, kur kandidova për kryetar të PD-së. Përfaqësuesin tim në komisionin e numërimit të votave e hoqi nga komisioni. Shkak u bë fjala ime në kongres, kur u duartrokita me thirrjet “Butka, Butka!”. Atëherë Berisha thirri Ritvan Boden dhe i tha që ta hiqte përfaqësuesin tim mbikëqyrës në komision, kryetarin e PD-së së Kolonjës. Arsyeja është se Berisha, edhe kur është i sigurt që fiton, ka frikë nga vota e lirë, ka frikë nga kundërshtari zgjedhor, edhe kur ai nuk e rrezikon.
-Këtë aspekt nuk e di, tundi kokën në mënyrë mohuese, Pjetri. E di që kandidove për kryetar në një moment të vështirë për PD-në, kur PD-ja rrezikonte të mbetej vetëm me një kandidat për kryetar, Berishën, pas largimit të Pollos. Ti e shpëtove PD-në nga një zgjedhje moniste dhe nga shkelja e statutit, që kërkon dy a më shumë kandidatë.
-Kemi bërë diçka, por jo gjithçka.
-Ti je më i ri dhe duhet ta vazhdosh përpjekjen.
-Edhe ti je i fortë dhe i paprekshëm, i thashë sa për t’i ngritur humorin. Sa për të tjerët, s’i dihet se çdo të ndodhë.
-Askush sot nuk është i paprekshëm, por në mënyra të ndryshme. Edhe unë. Cari i PDsë ka ç’t’i bëjë Pjetër Arbnorit. Dhe, besa, i ka bërë boll, deri sa e ka lënë jashtë Parlamentit dhe pa punë, pa rrogë. Ai është përjashtues. Ndërkohë, dua të punoj, të kem një punë, qoftë edhe në administratën e PD-së, se jam në gjendje të mirë shëndetësore, por edhe sepse i kam fëmijët të vegjël. Mirëpo…
E preu fjalën.
Heshtje.
Pas pak u ngritëm.
-Kur do të nisesh? – e pyeta.
-Nesër.
-Të vesh e të vish shëndoshë!
Po ai nuk u kthye.
Kishte ligjëruar në konferencë ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut, që e kishte pikë të dobët, devizë dhe përkushtim qytetar, mandej ishte operuar nga prostata, por për fat të keq bëri trombozë pasoperatore. Iku pa pritur dhe i dëshpëruar nga kjo botë, Pjetër Arbnori.
Titujt janë të redaksisë.
Titulli i autorit: KAFJA E FUNDIT ME PJETËR ARBNORIN