Nga Ilir Kalemaj
Paralajmërimet për zhytje të ekonomive familjare po vijnë radhë si birila, pavarësisht tam tameve të ekzagjeruara për rritje ekonomike të tre-mujorit të tretë që nuk bën gjë veç rikuperon gremisjen në honet e rrëshkitjes së mirëqënies që pasuan tërmetin dhe vençarisht krizën pandemike. Në një vend ku sipas Bankës Botërore rreth një e treta e vendit jeton në varfëri, ku plot 40 përqind e të ardhurave mujore shkojnë për ushqim, ku ushqimet janë mbi tetëdhjetë përqind e çmimeve që janë në Europën ku duam të integrohemi, bash në ato vende ku mesatarja e pagave shkon në 5-fishin e atyre që marrin shqiptarët, jetesa e shtrenjtë është bërë e papërballueshme.
Pika e fundit që rrezikon të derdhë kazanin ishin paralajmërimet apokaliptike për rritje të çmimit të energjisë. E cila e pamundëson edhe më tepër jetesën me dimrin e ashpër që po afron, shpenzimet në rritje për produkte farmaceutike dhe rritjen në tërësi të kostove mjekësore të cilat vetëm përgjatë 2020-ës u rritën sipas shërbimeve me 50 deri në 90 përqind. Për mos të përmendur ujin e munguar, shumë larg premtimit fluturak të ripërsëritur deri në mërzi për ta pasur në çezma 24 me 7. Jo vetëm tërësisht i pambajtur por fatura vjen si pula frëngun me taksa të ndryshme që i janë shtuar si hesapi pa hanxhinë.
Shqiptarët ndërkohë vazhdojnë të jenë të fundit jo vetëm krahasimisht me vendet e BE-së por edhe të fqinjëve ballkanikë përsa i përket konsumit, fuqisë blerëse, të ardhurave për frymë, rrogave mesatare dhe pensioneve. Të blesh një apartament në Tiranë apo edhe gjetkë në qytetet e mëdha i ushton një çifti të paktën tre dekada kursime. Në këtë drejtim na lë pas vetëm Moska dhe me pak diferencë Beogradi, ndërkohë që Tirana tejkalon cdo metropol tjetër europian në shtrenjtësinë e jetesës dhe paaftësinë ekonomike të një familje të re për të pasur një njësi banimi në pronësi.
Jo më kot dhe jo pa arsye, ëndrra, dëshira dhe ambicia e të rinjve është emigrimi. E vetmja mënyrë për t’u arratisur nga realiteti i vështirë që ofron shumë retorikë, propagandë bajate, fasada potemkiane por pak apo aspak shpresë dhe perspektivë. Pavarësisht se pjesa dërrmuese kërkojnë pamundsmërisht azil politik, realisht ata që ikin nga sytë këmbët me bileta një-drejtimshme kërkojnë azil ekonomik, azil hidrik, azil sigurie apo azil mbijetese në pamundësi për t’i siguruar këto në vendim amë.