BallinaAktualitetBeteja e shtrenjtë e pacientëve Covid, shpenzuan 20 herë më shumë se...

Beteja e shtrenjtë e pacientëve Covid, shpenzuan 20 herë më shumë se sa u rimbursuan

spot_img
spot_img

Pa mbështetje nga shteti dhe më të ardhura të pakta, pacientët me Covid që u kuruan në shtëpi u përballën me kosto të larta financiare, duke shpenzuar mesatarisht 813 Euro për person. Paradoksalisht shteti i rimbursoi mesatarisht me 33 Euro, duke shpenzuar vetëm 2.4% të fondit prej 10 milionë eurosh që kishte në dispozicion. Nga kjo skemë përfituan vetëm 7183 persona, kur për të njëjtën periudhë u konfirmuan pozitiv rreth 132 mijë persona. Gjatë periudhës tetor 2020 – prill 2021, shpenzimet shtesë për ilaçet ishin gati 30 milionë euro, “një pjesë e konsiderueshme e të cilave u paguan nga xhepi i qytetarëve”, – gjeti një monitorim i “Together for Life”

Margarita Kola së bashku me bashkëshortin kaluan një formë agresive të Covid, që i mbajti plot 42 ditë me vigona në krahë. Sëmundja iu shfaq papritur dhe menjëherë u futën në mjekim intensiv.

Si pasojë e agresivitetit të sëmundjes, Margarita nuk kishte kohë të priste radhën në sistemin publik për të bërë ekzaminimet e rekomanduara.

“Të gjitha i bëra në privat, pasi asnjë hallkë e sistemit publik nuk t’i ofronte. Pyeta pranë mjekut të familjes për të bërë testin serologjik, D-Dimer, PCR sapo m’u shfaq sëmundja, por më thanë që duhet të ishe e shtruar në spital që t’i përfitoje. Kështu që alternativa mbetej sistemi privat” – rrëfen Margarita, së cilës iu desh të ndërpriste pushimet në fund gushtin e vitit të kaluar.

Kurba e sëmundjes ndryshonte vazhdimisht, si pasojë ekzaminimet (D-Dimmer, PCR, analiza gjaku) u janë nënshtruar çdo dy-tre ditë, pasi në bazë të rezultateve shihej ecuria e protokollit më të cilin mjekohej.

“Një set analizash kushtonte 12 mijë lekë, por këto shumëzoji për dy sepse ishte edhe bashkëshorti”, – tregon më tej ajo.

Në situatën kur shpenzimet po rriteshin ata kanë kërkuar që të bëjnë injeksionet pranë qendrës shëndetësore nr.8, ku janë edhe të regjistruar.

“Më thanë që nuk lejohet të bëjmë injeksione për Covid, përveçse duhet të shtrohesh në spital. Në këtë situatë merrnim një infermier në shtëpi që na kushtonte për të dy, 10 mijë lekë (të reja) në ditë dhe vinte dy herë në ditë, por pasi kaluan 3-4 ditë na e bënë 8 mijë lekë në ditë për të dy. Shto këtu që të gjitha ilaçet ishin jashtëzakonisht të kushtueshme së bashku me vitaminat. Të gjitha janë paguar nga xhepi jonë”, – pohon ajo.

Ajo rrëfen se kostoja e trajtimit të Covid për të dy ka qenë mjaft e majme, duke e konsideruar mjaft të shtrenjtë për xhepat e shqiptarëve.

“Ne kemi një faturë rreth 350 mijë lekë të reja që kemi shpenzuar vetëm për mjekim, analiza, shërbime pa llogaritur ushqimet”, – thotë ajo.

“Unë e konsideroj veten në shtresën e mesme e lartë, por kjo faturë është e papërballueshme. Ne i kishim ato para, por unë mund të them se për një familje me të ardhura të ulëta mesatare, është shumë e vështirë. Të mos flasim pastaj për shtresa shoqërore si pensionistë, studentët, ata me pagë minimale… e kanë pothuajse të pamundur ta përballojnë…”, – mendon Margarita.

Margarita rrëfen se vetëm tamponin e fundit, kur i duhej të kthehej në punë e ka bërë në sistemin publik, por sërish zgjidhjen e ka gjetur te privati.

“Kishin kaluar pesë ditë që kur ishte bërë tamponi, dhe edhe pse i mora në telefon nuk na erdhi ndonjë përgjigje. Mirëpo duhej të ktheheshim në punë dhe në ditën e pestë, në mungesë të përgjigjes nga ISHP u detyrova të bëja tamponin në privat. Përgjigja e shtetit më erdhi pas 7 ditësh”, – rrëfen ajo.

Margarita nuk është e vetmja që është përballur me kosto të larta të trajtimit të Covid në kushte shtëpie dhe i është dashur të paguajë vetë nga xhepi.

Ndonëse qeveria shqiptare miratoi në nëntor 2020, një VKM për rimbursimin e paketës së trajtimit ambulator në banesë dhe udhëzimin përkatës se si do të bëhej ky rimbursim nga mjeku i familjes me një buxhet prej rreth 10 milionë Euro, numrat e atyre që kanë përfituar tregojnë se skema ishte inekzistente.

Sipas një raport monitorimi “Për zbatimin e buxhetit të shtetit për rimbursimin e lidhur me Covid-19 dhe investimet në pajisje mjekësore, shtator 2020-maj 2021 ” i kryer nga “Together for Life” dhe i mbështetur nga Fondacioni Westminster për Demokraci, të sëmurët me Covid-19 me simptoma të lehta dhe mesatare, që u kuruan në shtëpi gjatë periudhës së pandemisë mars 2020-maj 2021, u përballen me kosto të larta për aplikimin e terapive të mjekimit nga fondet e veta”.

Raporti, i cili monitoroi zbatimin e buxhetit të shtetit për rimbursimin e recetave Covid-19 përgjatë 9 muajve që korrespondojnë me dy valë të forta epidemike (shtator 2020 – maj 2021), ka gjetur se mbështetja e shtetit ishte krejt e papërfillshme për ata që kaluan Covid në kushte shtëpie, duke rënduar sidomos situatën tek të sëmurët kronikë dhe pensionistët.

Referuar këtij raporti, kostoja e përballimit të Covid në kushte shtëpie ishte mjaft e majme, mbi 813 Euro për person.

Përkundër këtij shpenzimi të majmë për xhepat e varfër të shqiptarëve, vlera mesatare e rimbursimit të recetës Covid-19 ishte vetëm 33 euro.

Të dhënat bëhen edhe më dramatike po të shohim fondet e shpenzuara përkundër atyre që ishin vënë në dispozicion.

E përkthyer në shifra, gjatë periudhës shtator 2020-maj 2021 për paketën anti-Covid u rimbursuan gjithsej 234 mijë Euro nga rreth fondi total prej 9.75 milionë Euro, që qeveria vuri në dispozicion për rimbursimin e të sëmurëve me Covid-19 ose vetëm 2.4% e fondit, deri në maj 2021.

Referuar raportit të “Together for Life”, për periudhën nëntor 2020-prill 2021 nga kjo skemë përfituan vetëm 7183 persona, kur për të njëjtën periudhë janë deklaruar të konfirmuar pozitiv, nga testet PCR rreth 132 mijë persona.

Beteja e shtrenjtë e pacientëve Covid, shpenzuan 20 herë më

“Kur jeta prevalon mbi gjithçka tjetër, askujt nuk i bëjnë problem ato para që prishim, por ama duhet t’i kesh ato para. Ata që nuk i kanë mund të vdesin shumë kollaj. E para duhet të sigurosh ilaçet bazë, pasi jo të gjithë mund të shkojnë në spital, as sistemi nuk do ti përballonte”, – thotë Margarita.

“Shpenzimet e kryera nga pacientët për trajtimin e sëmundjes (nivel i moderuar) ishin 10-20 herë më larta se fondet e përfituara nga rimbursimi. Bazuar në informacionet e mbledhura nga fokus grupet me pacientë ose familjarë të tyre, një pacient me simptoma mesatare shpenzoi për kurimin rreth 100 mijë lekë (813 Euro), ndërsa rimbursimi mesatar për pacient ishte 4019 lekë (33 Euro)”, – thuhet në raportin e “Together for Life”.

Beteja e shtrenjtë e pacientëve Covid, shpenzuan 20 herë më

“Gjatë vitit 2020 përfituan rimbursim vetëm 1.708 persona, për të cilët u shpenzuan 6.3 milionë lekë (51.3 mijë Euro), ndërkohë përgjatë periudhës janar-maj të vitit 2021, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (Fondi)  rimbursoi 5.632 receta me diagnozën “Covid-19”, me një vlerë totale prej 22.5 milionë lekësh (183 mijë Euro)”- thuhet në raport.

Për Margaritën kjo vlerë rimbursimi është qesharake.

“Të rimbursosh me 4 mijë lekë, kur në protokollin bazë të mjekimit të Covid është antibiotik, kortizonik, vitaminat, mbrojtësi, holluesit, ndërkohë që vetëm një nga këto ilaçe kushton 4 mijë lekë dhe këtë mund ta kesh vetëm për 10 ditë… Më thoni se si kjo skemë është funksionale dhe të vjen në ndihmë, kur rimbursohen vetëm 4 mijë lekë?” – pyet ajo.

Ndonëse ajo kontribuon prej më shumë se 20 vitesh në skemën e sigurimeve shëndetësore me paga që kanë qenë shumë më të larta se mesatarja dhe 9 vite pune në Kanada, duke qenë se gëzon edhe nënshtetësinë kanadeze, tregon se ka pritur që edhe ata të përfitonin nga rimbursimi i paketës anticovid.

“Unë nuk kam marrë asgjë nga shteti, megjithëse kam shpresuar që edhe ne që e kishim kaluar do të përfitonim. Kam të afërm të mi, të cilët u sëmurën pas meje dhe nuk kanë asgjë të paguar. Ky ka qenë një vendim vetëm në letër se në praktikë asnjëri prej nesh nuk është rimbursuar”, – thotë ajo.

Padobishmëria e kësaj skeme vërtetohet edhe nga numri i pakët i recetave që aktualisht shkojnë në farmaci për rimbursim.

“U bënë kohë që nuk na vijnë fare receta Covid për t’i rimbursuar, – thotë Bruna, një farmaciste pranë stadiumit “Dinamo” ku ndodhet edhe qendra Shëndetësore nr 8. – Të sëmurët vijnë e blejnë direkt. Covid nuk pret, ndërsa për të marrë recetën me rimbursim duhet të kalosh disa hallka na rrëfen ajo. Ku të pret Covid”.

Njësoj si Margarita edhe Zhaneta e Perikliu, një çift pensionistësh nga qyteti i Fierit, çdo gjë e kanë paguar nga kursimet e tyre.

Zhaneta ende nuk e ka marrë veten plotësisht nga Covid me të cilën iu desh të përballej këtë shtator.

“Ne kishim hequr disa lekë mënjanë dhe ia dolëm, po ata që nuk kanë mundësi si ia bëjnë? Vdesin? Për të përballuar këtë sëmundje nuk është e lehtë as nga ana fizike e aq më pak nga ajo financiare”, – thotë Perikliu teksa e pyesim për kostot e sëmundjes.

Ai rrëfen se për shkak të procedurave të gjata nuk iu drejtuan fare sistemit publik dhe çdo shërbim e kanë marrë në privat.

“Nuk kishim kohë për asgjë. Na u shfaq që në fillim një formë agresive, ndërsa në sistemin publik duhet të presësh. Ndaj iu drejtuam spitalit privat. Fillimisht bëmë tamponin dhe rezultuan të dy pozitiv, më pas bëmë nga një grafi të dy që ishte 2500 lekë secili”, tregon Perikliu.

Në këtë situatë nisën terapinë, më pas iu desh të siguronin një aparaturë oksigjeni që e gjetën me qira 10 Euro dita. Duke qenë se sëmundja po agravonte atëherë bënë të dy nga një skaner (2 x 12.000 = 24 000 lekë), pas 5 ditëve të para, Zhaneta nuk po reagonte mirë ndaj u desh të ndërrohej terapia dhe të kalohej në intravenoze që kushtoi rreth 800 Euro, pasi zgjati për 15 ditë.

Analizat janë bërë disa herë për të parë D-Dimmer, PCR apo treguesve të tjerë në gjak. Në total ata thonë se kanë shpenzuar rreth 200 mijë lekë të reja, duke hequr shpenzimet për ushqimin dhe kujdesin nga te afërmit.

Edhe Zhaneta e Perikliu “shpëtimin” e gjetën duke u mbështetur tek familja. Dy fëmijët, vajza dhe djali, morën leje nga punët e tyre dhe u qëndruan pranë përgjatë tre javëve më kritike duke u kujdesur për ta.

“Kemi shpenzuar rreth 200 mijë lekë, po mirë që i kishim. Spitalin e menduam si mundësi të fundit fare… Kishim të dy fëmijët tek koka, një infermiere na vinte çdo ditë për injeksionet dhe ishte e vështirë të kujdeseshe…po në spital si ia bëjnë? Ku ka infermier që mund të plotësojë kërkesat e një pacienti me Covid, pasi një pacient i tillë e do infermierin tek koka?”, – rrëfen ai i cili ka dyshime nëse bashkëshortja mund t’ia kishte dalë nëse do të përfundonte në spital.

Të dy pensionistë, ata shtojnë se kostoja ishte shumë e papërballueshme, nëse përgjatë viteve nuk do të kishin hequr mënjanë disa kursime.

Por Jonida Diko, drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore Nr. 10 në Tiranë, thotë se rimbursimi i recetës ka qenë efektiv dhe nuk ka asnjë pengesë për ta përfituar.

“Të gjithë atyre që konfirmohen pozitiv nga ISHP, mjeku i familjes, teksa u përshkruan medikamentet i vë në dijeni se një pjesë të tyre, siç janë vitaminoterapia mund të merren me rimbursim, – thotë Jonida Diko.  – Një pjesë i marrin, ndërsa një pjesë tjetër thonë se e kanë nisur që më parë terapinë me vitamina. Skema është e hapur për të gjithë ata që vijnë tek mjeku i familjes dhe nuk ka asnjë kufizim”, – sqaron ajo, e cila shton se ndonëse në fillim kishte pak stepje pasi ishte skemë e re dhe nuk kishin shumë informacion, aktualisht pacientët pyesin vetë se cilat prej ilaçeve mund të marrin me rimbursim.

Covid 19 rriti shpenzimet nga xhepi për ilaçe

Raporti ka gjetur se gjatë periudhës tetor 2020 – prill 2021, që korrespondon me dy valë të forta pandemike, shpenzimet shtesë për ilaçet ishin gati 30 milionë Euro, pa përfshirë shpenzimet për blerjen e vaksinave.

Gjatë pandemisë tregu farmaceutik njohu një shpërthim të vërtetë duke shënuar rekorde në importin e produkteve farmaceutike. Vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, konkretisht janar-prill 2021, u shpenzuan 20 milionë Euro më shumë se mesatarja e të njëjtës periudhë për 2018-2020. Kjo rritje galopante ka ardhur si rrjedhojë e importeve të shtuara të produkteve, që u përdorën për mjekimin e Covid-19 si antibiotikë, kortizonikë, anti-inflamatorë, vitamina etj.

Për periudhën shkurt-prill 2021, importet e medikamenteve u rritën ndjeshëm me 87%, në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2018-2020[1], duke përfshirë dhe importet e vaksinave. Përjashtuar koston e vaksinave, rritja është 50%.

“Një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume është paguar nga xhepi i qytetarëve që u detyruan të vetë-kuroheshin kundër Covid-19”, – ka gjetur raporti.

Këto shpenzime do të ishin shumë më të larta nëse do të përllogariten edhe paratë për të blerë ilaçe të paregjistruara që janë përdorur gjatë pandemisë – siç rezultojnë nga gjetjet me fokus grupet e raportit.

Gjithsesi, raporti saktëson se është e pamundur të vlerësohen këto kosto për shkak të importeve joformale të barnave të paregjistruara, të tilla si Favipiravira ose Favira.

Vendimi për t’u trajtuar në shtëpi duket se më shumë ka qenë një zgjedhje e diktuar nga kushtet e ofruara.

Duke iu referuar të mbledhura nga shumë burime, raporti sugjeron se “pandemia Covid-19 e gjeti Shqipërinë me infrastrukturë të dobët shëndetësore dhe mungesë stafesh e pajisjesh mjekësore që e bënë të papërballueshme menaxhimin e pandemisë nga sektori publik”.

Standardet ndërkombëtare sugjerojnë se, për një shërbim dinjitoz spitalor një infermier duhet që të kujdeset për jo më shumë se 5 pacientë. Në Shqipëri, gjatë kulmit të pandemisë në janar – shkurt 2021 një infermiereje i duhet të kujdesej për më shumë se 11 të sëmurë me Covid-19.

“Mungesa e infermierëve lidhet ngushtë me normën e lartë të vdekshmërisë në spitale. Si rrjedhojë e kësaj situate shumë të infektuar zgjodhën ta përballojnë trajtimin e pandemisë në kushtet e shtëpisë, duke u përballur shpesh me kosto të larta dhe abuzime në protokollet e mjekimit”, – thuhet në raport.

Skema e rimbursimit e ngadaltë, e vështirë të aksesohet

Margarita, me profesion avokate e konsideron skemën inekzistente sa kohë që vetëm një grusht njerëzish kanë pasur mundësi të përfitojnë prej saj. Ajo thotë se edhe një duzinë miqsh të saj që e kaluan Covid pasi doli VKM, nuk kanë përfituar rimbursim.

“Shteti nuk ishte në atë kohë, nuk ishte as më pas për ne. Nëse kjo skemë ishte funksionale dhe u bë për të qenë funksionale, ne ishim të regjistruar në ISHP që po kalonim Covid, mjeku i familjes na kishte të regjistruar, pse nuk u bë skema e tillë që emrat tanë të shkonin automatikisht dhe të fillonte rimbursimi”, -pyet me të drejtë ajo.

“Në kohë të vështira sigurisht që ne do të paguajmë diçka nga vetja, por edhe shteti duhet të jetë aty. Kur arrin paradoksi në këto shifra, unë po ia fal shtetit që tia japë dikujt që ka nevojë më shumë se unë. Kthehet në një lloj mëshire”, -përfundon Margarita.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular