23 prindër të dyshuar për keqtrajtim të fëmijëve janë arrestuar nga Policia e Kosovës, kjo erdhi pasi Policia ka zbatuar një plan operativ për t’i identifikuar fëmijët në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit
Me të zbardhur dita, marrin rrugë drejt qendrave të qyteteve gjithandej Kosovës. Të mitur, herë të vetmuar e në raste të tjera në shoqërinë e të rriturve, kërkojnë lëmoshë. Mirëpo e përbashkëta e gjithë këtyre rasteve, është që të njëjtit mund të jenë viktima të mundshme të trafikimit.
Për t’i parandaluar aktivitetet e tilla, Policia e Kosovës ka zbatuar një plan operativ gjatë kësaj jave, i cili rezultoi me 23 të dyshuar. I gjithë ky aksion u zhvillua që nga 25 tetori e deri një ditë më parë
Gjatë këtij aksioni, u bë identifikimi i 18 fëmijëve lëmoshë-kërkues, prej tyre 11 shtetas kosovarë dhe 7 nga Shqipëria.
Krejt ky plan është bërë në koordinim me Qendrat për Punë Sociale. E më të theksuara, rastet e fëmijëve të cilët kërkojnë lëmoshë, janë në komunën e Prishtinës. Prandaj Blerim Shabani nga Qendra për Punë Sociale, tregon për numrin e rasteve të kësaj natyre, që kanë identifikuar në kryeqytet.
Ky thotë që janë duke marrë masa në mënyrë që t’i vetëdijësojnë qytetarët të mos japin lëmoshë.
Për realizimin e këtij plani operativ, Zyrtarët policorë janë asistuar dhe përkrahur nga Prokuroritë në rajonet përkatëse, Qendra për Pune Sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, Policia Kufitare dhe Stacionet Policore./Express