Komisioni Hetimor Parlamentar për inceneratorët ka nisur dje zyrtarisht hetimin për organet shtetërore dhe individët që dyshohet se janë përfshirë në dhënien e kontratave koncesionare, për të cilat opozita pretendon se janë në kundërshtim me ligjin
Mbledhja u shoqëruar me debate për rregulloren, mes kryetares Jorida Tabaku dhe nënkryetares Ermonela Felaj. Deputetja e PS-së u shpreh se: “Ne do i shohim të gjitha ato që kanë ndodhur me landfillet e ineceneratorët. Askush nuk ka të drejtë këtu të paragjykojë asnjë anëtar komisioni se do bëhet kështu apo do bëhet ashtu”. Por kryetarja Tabaku reagoi duke thënë se: “Jemi të gatshëm të shohim edhe ato elementë që gjykoni por ta harrojë kush që ky komsion do bëhet zyra e propoagandës së kompanisë së inceneratorit të mbetjeve”.
Por në fund, u vendos që puna të vijojë me atë që ishte parashikuar, ndërsa do të bëhen ndryshimet e nevojshme sipas nevojës. Komisioni zgjodhi deputeten e PS-së, Antoneta Dhima si sekretare. Kryetarja e këtij Komisioni, Jorida Tabaku, gjatë relatimin të planit paraprak të hetimit ka bërë publike listën e drejtuesve të lartë të cilët do të hetohen për kontratat e 3 koncensioneve, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Ajo që bie në sy është përfshirja në listë e Kryeministrit Edi Rama, ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako dhe Ëngjëll Agaçi sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, si persona me funksione që kanë dijeni për kontratat e PPP-ve.
Në listë gjithashtu janë edhe 3 kryetarët e bashkive, në të cilat janë ndërtuar impiantet e përpunimit të mbetjeve ose inceneratorët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi, kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja dhe ish-kryetari Qazim Sejdini pritet të thirren për të dëshmuar nëse kanë dijeni apo informacion për shkeljet që pretendon opozita. Po ashtu, bashkë me zyrtarët, në listë janë edhe Mirel Mërtiri, aksioner/administrator i Koncensionarit, Klodian Zoto aksioner/administrator i Koncesionarit, Stela Gugallja aksioner/ administrator i Koncesionarit. Komisioni rezervon të drejtën që në Planin e Hetimit të thërrasë për të dëshmuar çdo person apo funksionar tjetër që ka dijeni rreth objektit të hetimet dhe që rezulton i përfshirë në këtë çështje nga shqyrtimi i dokumentacionit zyrtar.
AKUZAT
Në cilësinë e kryetares së Komisionit, deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi se për të favorizuar skemën e tyre abuzive, qeveria miratoi 17 vendime në 1 ditë me qëllim që t’i hapte rrugë korrupsionit dhe shkeljes së ligjit. “Ne do të bëjmë një analizë të plotë se si ka mundësi që një kompani pa asnjë eksperiencë merr tre koncesione? Si ka mundësi që një kompani offshore e regjistruar në Holandë merr koncesionin më të madh në Tiranë, deri në 300 milionë euro? Do analizojmë të gjitha procedurat që janë ndjekur nga institucionet që janë zbatuese të kontratës, që janë 3 bashkitë, Ministria e Mjedisit, Ministria e Industrisë dhe Energjetikës për dhënin e këtyre tre procedurave koncensionare për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të mbetjeve, inceneratorëve.
Si ka mundësi që ligjshmëria e këtyre 3 kontratave ka filluar dhe përfunduar brenda një dite? Si ka mundësi që i gjithë shteti ka marrë 17 vendime të Këshillit të Ministrave për 2 kontratë koncesionare, si në rastin e Elbasanit dhe Fierit? Inceneratorët e Tiranës dhe Fierit në vitin 2022 janë parashikuar që të marrin 2.1 miliardë lekë dhe kjo shumë do të rritet me 11% në vitet në vijim dhe është një e treta e vlerës së kontratave koncensionare”, tha Tabaku. Komisioni do të zgjasë veprimtarinë e tij për 3 muaj deri në datën 28 janar 2022.
SHKELJET E PRETENDUARA NË RELACION
Gazeta “Panorama” ka siguruar relacionin e plotë të Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Sa i përket Inceneratorit të Tiranës, iniciatori dhe propozuesi është shoqëria me seli në Holandë “Integrated Energy B.V.” sh.p.k. Më datë 31 gusht 2017, autoriteti kontraktor, Ministria e Mjedisit ka lidhur kontratën koncesionare me subjektin “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k., e cila është një shoqëri e themeluar më datë 30 gusht 2017, pra vetëm një ditë më parë se të lidhej kontrata për ndërtimin e impiantit si dhe pa asnjë eksperiencë relevante në fushën e pastrimit të mbetjeve.
Kontrata koncesionare është një kontratë problematike, pasi garanton faktin që Autoriteti Kontraktor, pra Ministria e Mjedisit, do të detyrojë Njësitë e Qeverisjes Vendore në fjalë që përveçse të mbulojnë kostot e transportit të mbetjeve, edhe lidhur me uljen e kostove të trajtimit të mbetjeve me anë të teknikave dhe teknologjive të ndryshme. Kontrata parashikon gjithashtu dhe detyrimin e Njësive të Qeverisjes Vendore që përbëjnë qarkun e Tiranës për t’i paguar koncesionarit 29 euro për ton mbetje, pa TVSH.
Është shqetësues edhe fakti se Autoriteti Kontraktor merr përsipër të mbajë të padëmtuar koncesionarin për çdo humbje direkte ose fitim të munguar të pagueshëm. Incineratori i Tiranës, megjithëse nuk ka filluar ende të prodhojë energji, koncesionari i tij për periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2020 ka përfituar nga Thesari i Shtetit 70 transaksione me një vlerë prej 23 milionë euro. Ndërsa në drejtim të kostove me të cilat do të përballen taksapaguesit shqiptarë, Kontrolli i Lartë i Shtetit është shprehur se shifrat janë manipuluar nga qeveria, pasi për incineratorin e Tiranës nuk do të paguhen 178 milionë euro, por 296 milionë euro.
Sa i përket Inceneratorit të Elbasanit, në relacion thuhet se: Këshilli i Ministrave përmes VKM-së nr. 907, datë 17.12.2014 shprehet se Autoriteti Kontraktues ka shpallur procedurën për koncesionin, por nuk ka bërë asnjë shpallje paraprake. Sipas këtij relacioni kontrata është lidhur një ditë më vonë se shpallja e fituesit, duke mos lejuar asnjë ankimim. Subjekti fitues, me të cilin është lidhur kontrata koncesionare, është shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k., e regjistruar në QKR më 10.07.2014, pra rreth 4 muaj para lidhjes së kontratës pa pasur asnjë eksperiencë relevante në fushën në të cilën ka përfituar kontratën. Ortakja e shoqërisë, që ka një kapital prej 100.000 lekësh, është njëherazi edhe administratore e shoqërisë.
Sa i përket Inceneratorit të Fierit në vitin 2016, Autoriteti Kontraktor, Ministria e Mjedisit njofton shpalljen për incinerimin dhe përpunimin e mbetjeve në këtë qytet dhe vetëm pak ditë më pas, ai njoftoi dhe fituesin e kësaj procedure konkurrimi, që do të ishte “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. i krijuar nga bashkimi i operatoreve ekonomikë “JV Integrtated Technology Service” sh.p.k. dhe “Energy 2 SRL” sh.p.k., shoqëri e cila ishte themeluar vetëm disa ditë para se të fitonte garën, më datë 03.10.2016. Megjithëse impianti për vitet nga 2016 deri në 2020 nuk ka prodhuar energji, kompania fituese ka përfituar përgjatë gjithë kohës pagesa nga Thesari i Shtetit, duke përfituar kështu 41 transaksione në vlerën e 22.5 milionë euro.