Gjykata e Elbasanit la prapa hekurave 24-vjeçarin e arrestuar për vrasjen e Florenc Kovaçit dhe plagosjen e vëllait të tij, Mikelin, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes së shkuar.
Prokurori Ritvan Sukaj kërkoi masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin Ardit Hida, kërkesë e cila u pranua nga gjyqtarja Miranda Çekrezi. Në seancën e zhvilluar dje në Gjykatën e Elbasanit, Hida ka deklaruar se ishte konfliktuar me vëllezërit Kovaçi, pasi i kishin ngacmuar të motrën 14-vjeçare. Ai ka thënë se ata i jepnin alkool dhe lëndë narkotike. “Në momentin qe i takova me ofenduan dhe u kërkova të mos kishin kontakte me motrën time”, ka deklaruar i riu.
Ndërkohë, motra e tij 14-vjeçare thotë se kishte marrëdhënie intime me njërin prej vëllezërve dhe se konsumonin lëndë narkotike. “Konflikti, unë për të ndenjur me Mikel Kovaçin dhe shoqërohesha aty edhe me Florenc Kovaçin. Kundërshtoja familjen time dhe ikja prej shtëpie. Patjetër që kur i bëja këto isha nën efektin e lëndëve narkotike”, thotë midis të tjerash vajza.
Gjatë intervistës, vajza flet edhe për një video intime të së motrës me 19-vjeçarin Mikel Kovaçi, video e cila dyshohet se u bë shkak për ngjarjen e rëndë. Vajza thotë se familja e saj e ka denoncuar të dashurin, por se kjo e fundit nuk ka pranuar të ndahet me të. Vajza thotë se i dashuri ka ushtruar dhunë, por se nuk e ka denoncuar atë në Policinë e Elbasanit.
Vajza thotë se është rritur bashkë me të vëllanë nga gjyshërit dhe jo nga prindërit. E vetëdijshme se ka zgjedhur rrugën e gabuar, ajo thotë se ndihet fajtore që u bë shkak për humbjen e jetës së një 28-vjeçari dhe viteve të tëra burg që presin të vëllanë e saj. Prindërit e vajzës dhe autorit të ngjarjes janë të divorcuar. Babai i saj aktualisht është në burg pasi është dënuar për lëndë narkotike, ndërsa e ëma rezulton të jetë e martuar në Stamboll. Arditi ishte djali i vetëm që punonte dhe ushqente të motrën dhe gjyshërit e saj.
Çfarë ka ndodhur midis vëllait, Arditit dhe viktimës. Pra si ka nisur konflikti?
Konflikti, unë për të ndenjur me Mikel Kovaçin dhe shoqërohesha aty edhe me Florenc Kovaçin. Kundërshtoja familjen time dhe ikja prej shtëpie. Patjetër që kur i bëja këto isha nën efektin e lëndëve narkotike. Hashash ka përdorur, vetëm këtë lëndë.
Më thotë një anëtar i familjes tënde që viktima në këtë rast i ka dërguar një video Arditit dhe është kjo video me momente intime tuajin që ka bërë që Arditi të marrë këtë vendim dhe të godasë me thikë Mikelin. Sa e vërtetë është kjo?
Te kjo pjesa s’kam dijeni. Pasi e thanë shefat e Komisariatit e mora vesh. Nuk e dija fare këtë pjesë. Se në fillim kanë bërë një sherr dhe më pas ka ndodhur ngjarja. Pasi erdhi herën e dytë.
Ke denoncuar ndonjëherë në Polici Mikelin?
Po, familja ime po.
Po pse vazhduat me Mikelin, kur e dinit që kjo situatë do të agravonte?
As vetë nuk e di. As vetë.
Si e ke njohur Mikelin? A ka ushtruar dhunë ai ndaj teje?
Disa herë. Kanë qenë për arsye koti. Me shenja të nxira. Nuk kam denoncuar.
Po të kishit denoncuar e dinit që kjo situatë nuk do të ndodhte?
E di. Nuk do të ndodhte. Jam e vetëdijshme për çdolloj gjëje. Sigurisht më vjen keq për vëllanë. Se me atë jam rritur. Arditin e kisha me tepër se vëlla, e kisha mama, baba të gjitha me pak fjalë. Jam e vetëdijshme!
Në lagje ke pasur ngacmime të tjera? Dhe i keni denoncuar?
Po, është e vërtetë. S’e di pse mua. Nuk e di është thjesht rastësi le të themi se kur kanë qenë denoncimet kam qenë 11-12 vjeçe. Rrija vetëm në shpi dhe me gocat e lagjes. Shtëpi-shkollë. Tani nuk po shkoj më në shkollë.
Pse nuk po shkon?
Nuk ka të bëjë aty. Por për ca kohë nuk jam në gjendje të vazhdoj. Mund të kaloj në gjendje… Fajin e kam vetë. Nuk kanë qenë vendime të sakta për moshën dhe zgjedhjen time. Edhe ku dilja e ku rrija.