BallinaEkonomiDhoma Amerikane e zhgënjyer me paketën fiskale: Qeveria ka thyer angazhimet publike,...

Dhoma Amerikane e zhgënjyer me paketën fiskale: Qeveria ka thyer angazhimet publike, të shtyhet afati i projektligjeve

spot_img
spot_img

Dhoma Amerikane ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me paketën e re fiskale, në një shkresë drejtuar Z.Eduart Shalsi, Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat dhe Znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Sipas shkresës, është thyer angazhimi publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet. Dhoma pohon se ata u njoftuan për paketën pasi ajo kaloi në Këshillin e Ministrave dhe koha që u është lënë në dispozicion është e pamjaftueshme. Për këtë arsye Dhoma kërkon shtyrjen e shtyrjen e afatit të projektligjeve, pasi ato kanë nevojë për përmirësime.

Në përgjigje të materialit që na është parashtruar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi ndryshimet e reja ligjore, Dhoma Amerikane ju bën me dije se: së pari, një pjesë e madhe e bizneseve anëtare, kanë reaguar me shqetësim, në lidhje me këto projektligje; së dyti, koha e vënë në dispozicion të Dhomës Amerikane nuk ka qenë e mjaftueshme që grupet tona teknike të zhvillojnë një analizë të plotë për të prodhuar komente të detajuara për draftin.

Përsa më sipër, Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin mbi procesin dhe përmbajtjen e projektligjeve si më poshtë:

  • Thyerja e angazhimit publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet. Pasi komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm, mbi ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet, si dhe në përshtatje me praktikat më të mira botërore, zyrtarë të lartë duke përfshirë Ministrin e Financave, Kryeministrin, etj., janë angazhuar publikisht për ndryshime më pak frekuente të ligjit, njëherë në çdo 4-vjeçar. Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike.
  • Shkelja e Përsëritur e Afateve të Ligjit mbi Konsultimin Publik. Dhoma Amerikane vëren e zhgënjyer se u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave mbi paketën fiskale 2022, pasi ato ishin miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishin depozituar pranë Kuvendit. Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projektligjin/et e propozuar.

 

Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjeve, nëpërmjet zbatimit te ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, duke i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij. Në vijim, Dhoma Amerikane shpreh bindjen se projektligjet kanë nevojë për përmirësim, i cili do të mundësohej pas reflektimit të rekomandimeve të komunitetit të biznesit. Një pjesë e problematikës është e bashkëngjitur. https://amcham.com.al/wp-content/uploads/2021/11/Leter-e-Dhomes-Amerikane-te-Tregtise-lidhur-mbi-Paketen-Fiskale-2021-Nentor-10.pdf

Gjithashtu, Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të Ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit. Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë. Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit. Monitor.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular