BallinaKryesore“Kuvendi-miting i 11 dhjetorit!”/ Preç Zogaj: “Anëtarësia” kundër “Përfaqësisë”, shpikja spekullative e...

“Kuvendi-miting i 11 dhjetorit!”/ Preç Zogaj: “Anëtarësia” kundër “Përfaqësisë”, shpikja spekullative e Berishës për të përligjur me retorikë jakobine shkeljen mbi statutin e PD

spot_img
spot_img

NGA PREÇ ZOGAJ

Kyçja e firmave për mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike, i denjë si akt për një komedi me grotesk, ka vënë në vështirësi të gjithë ata që i futen punës për ta shpjeguar e justifikuar. Sa më shumë fjalë thonë, aq më të paqartë bëhen. Deri për gazetarët e moderatorët miqësorë me Foltoren. Pale për publikun e gjerë.

Arsyeja është e thjeshtë. Sepse Berisha ka vendosur të ndjekë një rrugë të pashkelur jashtëstatutore, ku juristët e tij, sado të zotë qofshin, zëne në thua, ngatërrohen, bien dashje pa dashje në spekullime dhe alogjizma që i kap edhe mendja më e zakonshme.

Spekullimi bazë i vetë Berishës është ai që u jep delegatëve firmatarë statutin e “anëtarësisë ” para të cilëve duhet të rrinë sus, të ngrejë duart dhe të futen tre pash nën dhe “përfaqësia”, domethënë kryetari i partisë, nënkryetarët, sekretariati, kryesia e partisë, këshilli kombëtar, grupi i deputetëve. Të gjithë këta supozohen të shkarkuar pa u mbledhur kuvendi. “Anëtarësia” prej katër mijë vitesh janë në vështrimin e Berishës si hunveibinët e revolucionit kulturor kinez të kohës se Mao Ce Dunit që rrethonin zyrat e shtetit, poshtëronin e linçonin “ burokracinë”, zyrtarët e shënjuar me gisht nga “timonieri i madh”, u fusnin lepurin në bark të tjerëve, të gjithë këto në emër të “vijës së masave”, turmave të manipuluara që politikanët autokratë e diktatorë e kanë zakon tua ndërsejnë kundërshtarëve të tyre për të larë hesape me ta.

 

 

E vërteta është se këta firmatarët që Berisha i quan “anëtarësia” janë vetëm një e njëzeta e anëtarësisë së partisë demokratike që ka tetëdhjetë mijë anëtare, me sa dihet. Këta firmatarë janë “përfaqësues” gjithashtu, njëlloj si Basha, Bardhi e drejtuesit e tjetër me radhë , sepse janë sekretarë dhe kryetarë seksionesh, grupseksionesh, nëndegësh, degësh, anëtarë të këshillit kombëtar. Statuti i PDSH i konsideron të gjithë të barabartë si delegatë, por në vështrimin e Berishës këto të firmave janë më të barabartë se të barabartët , sipas shprehjes së famshme të Oruellit.

“Anëtarësia” kundër “Përfaqësisë” është shpikja spekullative e Berishës për të përligjur me një retorikë jakobine shkeljen mbi statutin e partisë demokratike për thirrjen e Kuvendit. Firmatarët paraqitën nga zoti Berisha sikur nuk janë kontaktuar një për një nga njerëzit e tij përgjatë dy muajve, por janë mbledhur si hije, në një si medium të tyre dhe aty, pasi e kanë ndarë të thërrasin Kuvendin, janë kujtuar se këta të selisë, Basha me shokë domethënë, mund tu thonë gjë po ta marrin vesh kush janë, ndaj i janë drejtuar zotit Berisha me kërkesën që të mos verifikohen . Dhe ky i ka dhënë zë kërkesës së tyre , kërkesë e bazës, duke e bere “ligj”. Ky është një skeç i mirë për të parodizuar vijën e masave. Që nuk të bën për të qeshur. Përkundrazi.

Nuk ka nevojë të jesh jurist dhe as të kesh njohuri të thella për statutin e PD-së për të kuptuar se firmat e mbledhura përgjatë një fushate të gjatë, ku pala tjetër nuk ka marrë pjesë, duhet të verifikohen nga organet e ligjshme në fuqi. Të mbledhësh firma për të thirrur një Kuvend të Jashtëzakonshëm me qëllim shkarkimin e Kryetarit, Sekretariatit e me radhë nuk do të thotë se këta drejtues janë shkarkuar.

Ndërkohë, edhe sikur të mos e diktonte statuti, për etikë politike e njerëzorë por edhe për të shërbyer bashkimin në diversitet, palës kundër së cilës është zhvilluar Foltorja, u duheshin venë në dispozicion firmat përmes të cilave legjitimohet thirrja e Kuvendit..

I gjithë qëndrimi I Berishës tradhton mendimin e faktit të kryer, do të thotë të një Kuvendi-miting a mitingu-Kuvend. Duke u ndier i pasigurtë me firmat e mbledhura, ai ka njoftuar ndërkaq se në datën 11 dhjetor do të thërrasë në Tiranë dhjetë mijë militantë .Përse i do këta militantë? Për të vënë në rrethim Kuvendin? Për presion, diversion, shantazh e demonizimin të palës tjetër? Për të përzier numrat e delegatëve me numrat e turmës që të mos merret vesh kush ka mandat e kush nuk ka? Për tu thënë SHBA shihni sa njerëz vinë pas meje? Me SHBA nuk ndryshon jo dhjete mijë por sikur tërë votuesit e PD-së të mblidhen në Tiranë.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë në ndonjë parti demokratike të botës që Kuvendi i delegatëve të zgjedhur të “përforcohet” me turma militantësh. Vetë Berisha ka rekorde të këqija me përdorimin alla bolshevik të mitingashëve në Kuvende, por jo deri në këtë pikë. Në korrik të vitit 1992 PD në pushtet humbi bukur thellë zgjedhjet vendore , tre muaj pas fitores plebishitare të 22 marsit 1992. Mbi njëzet për qind vota proporcionale më pak në harkun e tre muajve qeverisjeje. Me 5 gusht të atij viti një grup themeluesish paraqitën në Këshillin Kombëtar një analizë të shkaqeve që çuan në atë humbje. Në vend që të përballej me argumentet, Sali Berisha thirri mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm me 13 gusht, pra pas një jave. Në atë kohe Kuvendi nuk kishte delegatë të fiksuar si tani. Delegatët “ u zgjodhën” brenda javës në gjithë Shqipërinë, një turmë mitingashësh që erdhën, mbushen sallën, u çorrën duke brohoritur Sali Beridhën e duke sharë kundërshtarët e tij, votuan përjashtimin e tyre, prishën partinë nën vështrimin e atij që i kishte thirrur, u larguan, humbën e nuk u panë më këtyre anëve shumica prej tyre. Më pas erdhi humbja po aq e thellë e referendumit kushtetues të vitit 1994, pastaj farsa elektorale e 26 majit, kriza e vitit 1997 e plot ngjarje të tjera për të cilat unë kam shkruar gjere e gjatë ne librat e mi për tranzicionin. Historia është për të mësuar prej saj. Në këtë moment nuk shoh asnjë kusht për mbajtjen në 11 dhjetor të një Kuvendi-Kuvend , siç është vetë kuptimi i fjalës. Është investuar shumë helm, shumë emocione. Një miting me emrin Kuvend nuk do të zgjidhte asgjë. Përkundrazi: do ti shumonte e thellonte problemet tashmë të rënda.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular