Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur sot sërish në parlament për një triadë. Ai tha se vendi nuk ka shpëtim pa i dhënë fund kësaj triade dhe pa e ndërprerë këtë maskarallëk e karusel
Basha theksoi se e vetmja rrugëdalje politike është vettingu i politikanëve
“E pra prandaj në këtë seancë që do ta përdorë buxhetin dhe paketën fiskale si letër ambalazhi për karuselin e politikës së krimit dhe oligarkisë është e vendit të përsëris edhe njëherë se vendi ynë nuk ka shpëtim pa i dhënë fund kësaj triade, pa e ndërprerë këtë lojë, këtë maskarallëk, pa e ndalur këtë karusel.
Dhe përgjegjësitë politike që na ka ngarkuar shumica e shqiptarëve më 25 prill, që ju e keni dhunuar, gjymtuar dhe mos përfaqësuar në këtë sallë, duke zaptuar dhe uzurpuar atë shumicë, t’iu japim shqiptarëve të vetmen rrugëdalje politik, që është pastrimi i politikës, është Vettingu i Politikanëve. Atë që doni të zgjasni për gjyqtarët dhe prokurorët sipas mekanizmit ekzistues, ndonëse kushtetuta parashikon atë që keni votuar vet. Atë që keni bërë për policët e thjesht. Atë që keni propozuar për noterët. Atë që mohoni për veten tuaj, ndonëse Venecias që ia kërkuat opinionin, nuk ia përfillni dritën jeshile që ia hapi Vettingut të politikanëve. Dhe po ta përsëris dhe një herë, le të fillojë nga unë i pari. Po, po, sepse për 8 vite me radhë ti vazhdon e flet e flet për të kaluarën, e ke çuar deri tek 1936-ta, kushedi ku do e çosh, por nuk e fsheh dot katastrofën kombëtare që ti dhe qeverisja jote ka kryer për këtë popull për këto 8 vite, duke u arratisur te 2013-ta apo 1936-ta, apo tek Abdyl Hamiti. Vettingu i Politikanëve, pastrimi i politikës, ndërprerja e lidhjeve të politikanëve me krimin, futja në sitë aktive, jo pasive pasurisë së çdo politikani, çdo familjari të politikanëve, çdo ortaku të çdo politikani dhe çdo familjari të politikanëve është rruga e vetme për të kthyer këtë sallë qytetarëve. Dhe kur kjo sallë do t’i kthehet qytetarëve, nuk do të ketë më këtu duar që ngrihen mpishëm për të votuar një tjetër gjëmë si kjo letër që keni sjellë për të paketuar një tjetër vjedhje monstruoze dhe që edhe një herë vërteton se kurrë, ti kurrë nuk i ke shërbyer hallit të shqiptarëve, por vetëm hallit tënd dhe të skotës së maskarenjve, hajdutëve shakllabanëve, oligarkëve dhe kriminelëve me të cilët e ke marrë pushtetin dhe e mbanë pushtetin. Por mos kujto se kjo është një Status Quo e përjetshme. Kujtohu dhe një herë për të gjitha thëniet e Xhon Kenedit, dhe po s’u kujtove do vijë koha të ta kujtojnë.”, deklaroi Basha.