Frikë dhe panik në një familje në fshatin Vishnje të Tiranës. Një person, që dyshohet i armatosur, ende i paidentifikuar ka tentuar mbrëmjen e sotme që të futet në oborrin e banesës në pronësi të një personi me inicialet Sh. A.
Por në momentin e fundit është pikasur nga pjesëtarët e familjes, që kanë reaguar të alarmuar. Policia thekson se nga veprimet paraprake rezulton se personi, që nuk përjashtohet që të jetë nisur për të grabitur nuk është futur në banesë por është larguar me shpejtësi kur ka konstatuar se është diktuar nga pjesëtarët e familjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.6, Forca e Posaçme Shqiponja dhe Shigjetat po vijojnë krehjen e zonës dhe po kryejnë kontrolle në ambiente të dyshuara që mund të jetë fshehur personi i dyshuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes