Nga Bujar Leskaj
Sot mbushen 109 vjet nga Krijimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
4 dhjetori është një datë e rëndësishme në historinë e kombit tonë, sepse kremtohet krijimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë nga qeveria e Ismail Qemal Vlorës në 1912, në të cilën ministër i Luftës u emërua patrioti i shquar nga Tetova, Mehmet Pashë Dërralla.
Gjenerali 69-vjeçar, Mehmet Pashë Dërralla zuri vend kryesor në qeverinë e Ismail Qemalit, e cila përbëhej nga 10 ministra, ndërkohë që raporti midis feve ishte 5 me 5.
Si firmëtar i Pavarësisë Mehmet Pashë Dërralla përfaqësonte shqiptarët e Tetovës e të Shkupit.
U lind më 1843, në Gradec të Tetovës.
Dërralla është regjistruar në memorien historike, si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878 dhe do të kontribuonte në Lidhjen e Pejës, në 1899, si një nga drejtuesit kryesorë të qëndresës burrërore të shqiptarëve përballë sulmeve serbo-malazeze.
Ministri Mehmet Pashë Dërralla, shefi i Shtatmadhorisë Ali Shefqeti (Shkupi), së bashku me 15 oficerë holendezë formuan xhandarmërinë shqiptare e cila nën drejtimin e patriotëve Alem Mehmet Tragjasi, Ahmet Lepenica, Sali Vranishti dhe Hajredin Hekali, së bashku me patriotin Isa Boletini dhe luftëtarët nga Kosova e Labëria ishin mbrojtësit e parë të qeverisë së Vlorës dhe luftuan për mbrojtjen dhe zgjerimin e territoreve te saj.
Labëria i këndoi patriotit tetovar:
O, Mehmet pashë Dërralla,
Rritur me përshesh baruti,
Të kishte shku fjala dhe palla,
Lisi i tyre je te supi.
Ka 30 vite që kjo datë e rëndësishme ka zënë vendin që i takon në historinë e Shqipërisë, sikundër edhe të gjithë patriotët shqiptarë, të cilët u lanë në harresë nga historiografia komuniste.