VIDEO/ Endri Hasa: Përfaqësuesi i Tom Doshit, firmos si delegat i Sali Berishës
Në 8 vite, Partia Demokratike ka dënuar ashpër influencën e grupeve kriminale në politikë dhe ka zhvilluar një betejë të hapur kundër përfshirjes së tyre në politikë duke miratuar dhe ligjin e dekriminalizimit.
Është trishtuese që sot persona të skeduar si të lidhur me krimin dhe ortakët e Edi Ramës në masakrën zgjedhore, Aqif Rakipi dhe Tom Doshi, ndërhyjnë që të mbledhin firma për Sali Berishën. Një ndër ta është edhe Përparim Kolaveri, përfaqësues i Tom Doshit që firmos si delegat për datën 11 dhjetor.
Është e qartë që përçarja e PD-së ështe interesi më i mirë i regjimit të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij non grata.
Demokratët do të vazhdojnë betejën e tyre kundër regjimit të Ramës dhe tentakulave të tyre pranë PD-së. Demokratët kanë një dhe vetëm një kundërshtar, ai është Edi Rama dhe regjimi i tij.
Partia Demokratike ka denoncuar sot një rast konkret, lidhur me firmat që po mblidhen për Kuvendin Kombëtar të PD që ka thirrur ish kryeministri Sali Berisha.