Gazetari Artan Hoxha ka publikuar të tjera detaje në lidhje me operacionin e SPAK, ku u arrestua ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ndërsa u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” ne mungesë për dy persona të tjerë, Klodian Zoto dhe Stela Gugallia.
Sipas asaj që thotë gazetari Hoxha, Zoto është në Shqipëri, por policia nuk ka arritur ta gjejë, ndërsa personi tjetër, Stela Gugallia dyshohet se është larguar jashtë vendit.
“Koka u kap sot në mëngjes në një lokal. Ndërkohë Klodian Zoto nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria, pra ai është në Shqipëri. Edhe fakti që policia s’e ka gjetur dot, por nga kërkimet e tjera rezulton se ai është në Shqipëri. Vijmë te personi i 3 Stela Gugallia, e cila thuhet me sistemin TIMS se është brenda Shqipërisë, por nga informacionet që kam unë është jashtë. Nëse u arrestua i pari Koka pse duhet të dilte kaq shpejt lajmi pa u arrestuar 2 të tjerët? Koka e plotësonte kushtin të ishte një pshk i rëndësishëm. Çfarë dua të them, a ka ndonjë rrjedhje informacioni që këta 2 të tjerët i morën masat dhe i 3 jo?”, u shpreh gazetari Hoxha për Abc
BISEDA ME VËLLAIN E LEFTER KOKËS
Gazetari Hoxha tregon gjithashtu bisedën që ka pasru më vëllain e Lefter Kokës, Nar Koka menjëherë pas arrestimit të ish-ministrit.
Sipas asaj që tregon Hoxha, familja Koka ka qenë në dijeni për arrestimin para 4 ditësh.
“Nga biseda që kam pasur me Nar Kokën, një personazh shumë kontravers, e kam pyetur në lidhje me arrestimin, sepse e kanë kapur në lokal, s’kanë vajtur për ti bërë spektakël, i kanë thënë kemi këtë urdhër duhet të shkojmë në shtëpi, atje është bërë kontrolli i shtëpisë nja 2 orë. E pyeta a keni pasur dijeni më parë? Nari më tha “na ka ardhur një informacion para 4 ditësh por bëmë kalkulimet dhe vëllai zgjodhi të bënte këtë që bëri të dorëzohej dhe të mos largohej por t’i nënshtrohej gjykimit”, tha Hoxha.
PARALAJMERIME PËR TË TJERA ARRESTIME
Ai ka paralajmëruar se arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka do të pasojë 2 të tjera. Hoxha tha se kjo është një histori shumë e madhe, madje një nga 3 më të mëdhatë dhe nëse hetimet vijojnë, sipas tij SPAK mund të bëjë atë që s’e ka bërë deri më tani.
“Sot pasdite kam parë dhe një reagim të politikanëve të ndryshëm dhe forcave politike, por te kjo gara se kush i kishte bërë denoncimet. Unë mendoj që kjo histori sapo ka nisur dhe uroj të jetë kështu sepse është histori shumë e madhe, është një nga 3 historitë që ka SPAK, që mund të bëjë atë që s’kemi bërë në 30 vjet nëse hetimi është i plotë. Pse tani? Pse në këtë moment? Duket sikur javët e fundit audienca e Ramës në rrjete sociale ishte zhdukur fare dhe sot menjëherë u kthye në lojë fuqishëm sepse gjithçka po merrej me foltoren me Berishën dhe duket sikur kjo është nga ato manovrat që bën vazhdimisht Rama e sposton vëmendjen aty ku do. Kemi akuzuar Kim se anojnë nga ana e qeverisë dhe kjo duket sikur bën një ballafaqim, sepse Koka është personazh i rëndësishëm jo vetëm si ish ministër e deputet por edhe si person. Është biznesmen i fuqishëm, është sulmuar dhe më parë edhe pa u bërë ministër”, tha Hoxha.