“A ishte hetimi i tradhtuar, pasi dy nga personazhet kryesore të aferës së inceneratorëve nuk u arrestuan?”.
Kjo është pyetja pas operacionit të djeshëm të SPAK që çoi në pranga ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ndërsa u shpallën në kërkim Stela Gugallja dhe Klodian Zoto. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se njerëz të afërt me një ish-ministër janë konstatuar në zyrën e biznesmenit Klodian Zoto, më pas ai e kyçi këtë zyrë dhe u largua.
“Pa asnjë dyshim arrestimi i një zyrtari të lartë, konkretisht ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka është një rezultat domethënës i SPAK megjithatë pyetjet vijojnë të ngelen. A ishte hetimi i tradhtuar, kjo për faktin se dy nga personazhet kryesorë, konkretisht Klodian Zoto dhe Stela Gugallja nuk u arrestuan, por edhe sepse ky hetim prej ditësh po bënte xhiron e institucioneve. Burimet bënë me dije se njerëz të afër me një ish-ministër janë konstatuar ditët e fundit në zyrën e biznesmenit Klodian Zoto, i cili është shpallur në kërkim tashmë mbi bazën e një urdhër arresti të firmosur nga SPAK dhe pas këtij momenti ai e kyçi këtë zyrë dhe u largua. Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe Operacionale pranë Policisë së Shtetit ishin caktuar t’i vëzhgonin të dyshuarit Zoto dhe Gugallja në distancë nga frika se mos ata tjetërsonin dokumentet dhe provat dhe do të largoheshin, por askush nuk mund ta shpjegojë se si të dy arritën të zhdukeshin pa lënë asgjë gjurmë. Mbrëmjen e kaluar burime zyrtare të Policisë së Shtetit bënë me dije se kanë ushtruar kontroll në disa ambiente me shpresën për të arrestuar biznesmenin Klodian Zoto dhe Stela Gugalljan, por nuk kanë rënë në gjurmët e tyre. Kjo, sepse dyshimet janë që të paktën Klodian Zoto gjendet brenda territorit të Shqipërisë. Ndërkohë që ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka vijon të mbahet në qelitë e paraburgimit në Policinë e Tiranës. I vetmi që e ka takuar z. Koka është avokati i tij Fatmir Braka, i cili nuk ka pranuar të flasë për mediat, duke deklaruar se gjithçka që ai në ka në raport me aferën e inceneratorëve do ta thotë në gjykatë në momentin që z.Koka do të dalë para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë arrest me burg që ishte caktuar ndaj tij në mungesë”, raportoi Lala.
Ish-ministri Koka u arrestua ditën e djeshme mbi bazën e një urdhër-arresti të SPAK. Ai dyshohet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas të dhënave të deritanishme të SPAK rezulton që z.Koka ka kryer disa shkelje që kanë të bëjnë me shpalljen dhe lidhjen e kontratës për inceneratorin e Elbasanit, pra pa pasur një shpallje, por me procedurë të drejtpërdrejt. Gjithashtu thuhet sipas SPAK se ai ka injoruar të gjitha dokumentet standarde të Ministrisë së Financave dhe ajo çfarë është më e rënda lidhet me dyshimet për korrupsion të z. Koka sepse sipas SPAK në bashkëpunim Zoton dhe Gugalljan ai ka përfituar një shumë të madhe prej 3.5 mln eurosh përmes një skeme të krijimit të shoqërive fiktive. Konkretisht shoqëria që e ka përfituar koncesionin dhe ajo që e ka ndërtuar atë me ortakë Stela Gugalljan dhe Klodian Zoton kanë lëshuar fatura fiktive dhe paratë i janë dërguar disa kompanive që sipas SPAK janë njerëz të lidhur me ish-ministrin Koka.
“Në lidhje me këtë çështje janë duke u hetuar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë për të cilët ende nuk ka një vendim final dhe një konkluzion nga ana e SPAK. Paralelisht ka dhe një tjetër hetim në Prokurorinë e Posaçme që lidhet me dy inceneratorët e tjerë, të Fierit dhe të Tiranës dhe nëse i shkohet deri në fund këtij hetimi mund të ketë të tjerë emra të politikës që mund të ndëshkohen dhe mund të provojnë shijen e hidhur të prangave”, raportoi gazetarja Lala.