Përplasja me një mbështetëse të kreut të PD, duket se e ka vënë në qendër të vëmendjes anëtaren e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, mbështetëse e Sali Berishës, Evi Kokalarin, e cila gjithashtu është ‘përplasur’ me gazetarët dhe operatorët që duke kryer detyrën e tyre, kanë vrapuar pas saj.
Në një video të publikuar Kokalari shihet në selinë e PD, duke provuar të hapë dyert për të gjetur zyrën e kreut të PD-së Lulzim Basha.
“Ku është zyra e Lulzim Bashës?”, pyet ajo, teksa gjithë kohës është në objektivin e kamerave. Ndërsa më pas ajo iu kërkon gazetarëve dhe operatorëve të bëjnë kujdes pasi po e vrasin. “Bëni shumë kujdes se po na vrisni se jemi femra, më të frikshëm jeni ju tashi”, thotë ajo.
Ndërkohë që një prej gazetarëve e ka pyetur nëse do iu kërkojë ndjesë gazetarëve që kanë transmetuar fjalën e saj dhe i quajti të frikshëm. Kokalari mohoi se i ka quajtur të frikshëm, duke shtuar se jeta e saj është më e rëndësishme se lajmi.
“Nuk thashë që janë të frikshëm. Në qoftë se unë rrëzohem dhe vritem ai është një problem shumë i madh, se jeta ime është pak më e rëndësishme se lajmi që do jepni ju, që të jemi të qartë”, tha Kokalari.