Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se ditën e nesërme do të bëjë publike emrat e delegatëve që kanë marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të zhvilluar ditën e sotme.
Në një prononcim për mediat, kryedemokrati Basha tha se ka pasur vetëm një aktivitet legjitim, Kuvendin Kombëtar.
“Mes punëve të mia të ndryshme, para hyrjes time në politikë, regjistroj disa profesioni, edhe atë të kamarierit. Por jo të falsifikuesit. Nesër do bëj transparent emrat e 5004 delegatëve që morën pjesë në Kuvendin Kombëtar. Meqë po përdorin legjitimitetin, le tua shpjegojmë shqiptarëve. Për legjitimitet po luftojmë dhe po përballemi me Edi Ramën. Ka 8 vite që po qeveris pa legjitimitet. Rikthimin e legjitimitetit, morëm vendimin ndaj parlamentit. Rezultati i shpallur nga KQZ-sja nuk është legjitim. Jemi në parlament për të rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë.
Nuk janë thjesht numri i njerëzve që mbledh për një çështje.Është procesi. Nëse Edi Rama sjell një numër të lartë shtetasish të huaj të votojnë në zgjedhje, kjo nuk e bën legjitime. Ka pasur vetëm një aktivitet legjitim, Kuvendi Kombëtar. Ka marrë vendimet me votën e 5004 delegatëve. Ka pasur dhe ndonjë dëm, siç ka pasur një dëm të veturës që merr PD për kryetarin. Të thërrasësh referendum që të hipësh në pushtet, dhe të hipësh në makinë, është qesharake. Nëse nesër do kemi referendum për të shkarkuar sekretarin Blinken dhe pasnesër Presidentin Biden, kjo është qesharake” – tha Basha.