BallinaKryesore“Ultimatumi” i Berishës për Bashën, VOA: Situata është përshkallëzuar. 5 janari, dita...

“Ultimatumi” i Berishës për Bashën, VOA: Situata është përshkallëzuar. 5 janari, dita e përballjes së madhe

spot_img
spot_img

Në Shqipëri, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij i kërkuan sot kryetarit demokrat Lulzim Basha të respektojë vendimet e marra në Kuvendin dhe referendumin e organizuar prej tyre dhe të largohet nga zyra e tij brenda datës 5 janar.

Në rast të kundërt sipas tyre do të jetë anëtarësia vetë që do marrë në kontroll selinë. Nga ana e tij kryetari demokrat i cili nuk i njeh veprimet e palës tjetër, deklaroi se PD i ka marrë vendimet e veta e do i qëndrojë atyre deri në fund.

Anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, struktura e ngritur nga Kuvendi i 11 dhjetorit për drejtimin e përkohshëm të partisë, ishin sot sërish në selinë e PD-së, ku pak ditë më parë ata paralajmëruan se do t’i dërgonin me shkrim “deputetit Basha” vendimet. Këtë herë zoti Berisha mungonte.

Ndryshe nga çfarë ndodhi dy ditë më parë kur ata shqyen derën e mbyllur të sallës ku hynë, sot e gjetën atë të hapur.

Në shkresën e përgatitur për zotin Basha, e cila ju lexua paraprakisht gazetarëve, zotit Basha i kërkohet, përmes një ultimatumi, që të respektojë vendimet për shkarkimin e tij “duke liruar ambientet e punës së Kryetarit të Partisë, si dhe duke bërë dorëzimet përkatëse të Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PDSH deri në datë 5 Janar 2022”.

Për më tepër kërkesa paralajmëron marrjen në kontroll të situatës nga vetë anëtarët: “Refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar, si organi më i lartë statutor i Partisë Demokratike të Shqipërisë si dhe refuzimi i vullnetit të 43385 anëtarëve të PDSH të cilët ratifikuan vendimin e shkarkimit tuaj, do të detyrojë anëtarësinë të shndërrohet në përmbaruesin politik të vendimit dhe vullnetit të saj”.

Nga ana e tij kryetari demokrat e ka bërë të qartë se nuk njeh asnjë nga veprimet e ndërmarra nga zoti Berisha dhe mbështetësit e tij. Ai foli me tone mospërfillëse ndaj ultimatumit të sotëm.

“PD i ka marrë vendimet e veta e do i qëndrojë atyre deri në fund. Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit është jo vetëm ndarja nga e shkuara, por dhe përqafimi i të ardhmes. Eshtë zgjedhja e të ardhmes, jo vetëm për ne, por dhe për shqiptarët.

Ndaj çdo veprim i PD do jetë në funksion të njerëzve dhe halleve të tyre. Nuk na plas për karriket e atyre që paskan qenë këtu vetëm për karrike”, deklaroi zoti Basha.

Gjithshka sot u zhvillua larg tensioneve të pak ditëve më parë. Por pavarësisht kësaj, situata në të vërtetë është përshkallëzuar dhe data 5 janar shfaqet kështu si dita e përballjes së madhe./Burimi: VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular