Largimi i Ilir Dajës nuk ishte një rrufe në qiell të hapur por ishte një divorc i paralajmëruar në kohë, thjeshtë emri i madh që përfaqëson Daja dhe deklaratat në distancë të presidentit Demi dhe drejtorit Rama, bënë që ky vendim të zgjatej në kohë, sigurisht në mes ishte dhe një kontratë për ende për tu zgjidhur.
Me Dajën që ka vendosur të largohet nga “demat”, në shtëpinë e kuqe ka nisur puna për të gjetur zëvendësuesin ideal. Sigurisht që stoli i kuq është nga më prestigjiozët në elitë dhe të shumë janë ata që dëshirojnë të ulen por drejtuesit e klubit kanë vendosur të gjejnë një zgjidhje brenda familjes, të paktën deri në fund të sezonit
Burime të sigurta për “Sport News” bëjnë me dije se stoli do ti besohet Dritan Mehmetit, trajneri që aktualisht drejton 21-vjeçarët e Partizanit. Mehmeti e njeh shumë mirë ambientin në shtëpinë e kuqe pasi për një kohë të gjatë ka punuar si zëvendës trajner, dhe në çdo rast, nuk e ka refuzuar kurrë të marrë drejtimin e ekipit, sa herë i është kërkuar nga drejtuesit e klubit.