Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se PD nuk është dhe nuk do të jetë pronë private e askujt, por është një pasuri e të gjithë demokratëve dhe shqiptarëve.
Ai gjithashtu theksoi se Partia Demokratike është i vetmi instrument për të ndryshuar Shqipërinë.
“Kjo e ardhme ka trajtat e demokratëve të sakrificës, jo e atyre privilegjeve. Të themeluesve që kurrë nuk u ndanë në asnjë betejë, të të rinjve demokrat që me vetëdije vendosën që Partia Demokratike nuk duhet t’i braktis vlerat e saj pro perëndimore. Që Partia Demokratike nuk është dhe do të jetë pronë private e askujt, por pasuri e të gjithë demokratëve, pasuri e shqiptarëve, pasuri kombëtare. Jemi shumë më shumë se kaq. Jemi instrumenti për të ndryshuar Shqipërinë, jemi instrumente për të përmbysur këtë të keqe. Jemi instrumenti për të larguar atë, për ta çrrënjosur nga Bashkia e Dibrës, në atë të Sarandës dhe mbi të gjitha në Tiranë. Dhe që ky instrument të jetë 100% i fokusuar në detyrën e madhe kombëtare që ka përpara, tani është momenti t’i themi ndal çdo retorike përçarëse. E kam thënë kudo ku më kanë pyetur dhe duhet ta përsëris edhe sot, demokratët nuk janë të përçarë. Ne ndajmë një qëllim: Largimin e Edi Ramës”, tha Basha.
Gjatë këtij takimi me demokratët në Dibër, Basha gjithashtu theksoi se sot demokratët janë më të bashkuar.
Qëllimi i vetëm i kësaj force politike u shpreh Basha është që të bëjë një Shqipëri europiane dhe të jetueshme për t’i krijuar mundësinë të gjithëve të jetojnë me dinjitet.
“Retorika përçarëse është ajo që jep përshtypjen që ka një përçarje në radhët tona, por jam i sigurt se po t’i pyes, jo vetëm ju që jeni në këtë sallë por të gjithë demokratët e Dibrës, gjithë demokratët e Shqipërisë, të gjithë ata demokratë të sakrificës, që japin e do të japin pa pyetur se çdo të marrin në këmbim por sepse besojnë tek Partia Demokratike, besojnë tek liria, besojnë tek demokracia, besojnë tek Shqipëria. Dhe po ti pyesim të gjithë, po ti pyesim të gjithë këta demokratë të sakrificës, jo ata pak të kolltukëve, jo ata pak të karrigeve , jo ata pak të pazareve të dukshme e të padukshme me pushtetin. Po ti pyesim të gjithë së bashku a kemi vetëm një qëllim? A kemi vetëm një mision? Atëherë përgjigja është pa ekuivok, po.
Qëllimi ynë është të shpëtojmë Shqipërinë, misioni ynë është ta bëjmë Shqipërinë europiane, të jetueshëm, të zhvilluar e ti mundësojmë bijve dhe bijave tanë të jetojnë këtu me dinjitet e duke patur të njëjtin qëllim e të njëjtin mision, duke patur të njëjtin kundërshtar, detyra e parë dhe kryesore që lind jo vetëm nga lidershipi i partisë por nga çdo anëtar i Partisë Demokratike është ta jetësojmë këtë dhe që ta jetësojmë duhet të hedhim hapat e parë në drejtim të atyre, zemërimi i ligjshëm I të cilëve është përdorur për ti hutuar e çuar në rrugën e gabuar, siç tha njëra nga parafolëset”, tha më tej Basha.