Nga Edlira Devolli Leka
Është krijuar një situatë ku nuk po e njohim ose ndoshta po arrijmë ta njohim më mirë njëri –tjetrin brenda familjes tonë politike.
Kam qenë prej fillimeve të mija pranë PD, pasi në fillimet e saj kam qenë fëmijë dhe vetëm mbaj mend se shihja dritë në sytë e tim eti që donte të rrëzuar sistemin komunist. Aty te PD jam edhe tani, te institucionet e saj legale, të votuara, të zgjedhura e të pranuara si të tilla dhe prej shumë kolegëve që sot mendojnë ndryshe e më shohin ndryshe nga katër muaj më parë. Jam aty te institucionet legale të PD jo për faktin se kryetar në majën e piramidës është Lulzim Basha, por për faktin se ato janë legale me votat e të gjthë ne që i votuam bashkarisht dhe u ndamë pas 9-Shtatorit. Bëj pjesë tek ata që debatin dhe ndarjen nuk e personalizoj, duke pranuar etiketën të Bashës ose Berishës. Në ndarjen mes llogoreve të “foltoreve” dhe sallave ku mblidhen institucionet dhe strukturat e zgjedhura legalisht, të votuara e pranuara si institucionet legale të partisë, jam krah këtyre të dytave.
Për ata që personalizojnë dhe thonë se dielli i fitoreve ka shndritur në PD në kohën e liderit Berisha dhe Basha është veç një humbës dua të sjell në vëmendje si mëposhtë.
A i fituam zgjedhjet e 1992 me Ambasadorin Amerikan nëpër tribuna dhe humbëm goxha thellë vetëm 4 muaj më pas në zgjedhjet lokale të Korrikut 1992?
A humbëm referendumin e vitit 1994?
Nuk po flas për 1997 , por a e humbëm referendumin e vitit 1998?
A i humbëm zgjedhjet lokale në të gjitha bashkitë e mëdha në vitin 2000?
Nën cilin lidership Bashkinë e Durrësit PD e fitoi vetëm 2 herë, në vitin 1992 me Golemin dhe në 1996 me Gorenë dhe humbëm në 2000, 2003, 2007, 2011 pra 4 me 2.
A i humbëm thellë zgjedhjet e 2001 dhe fituam vetëm Moisiun në Presidencë e Nanon e Metën në pushtet deri në 2005?
A i humbëm zgjedhjet lokale në 2003? A i humbëm dhe dhjetëra njësi se bojkotuam balotazhin e zgjedhjeve lokale 2003?
Po në vitin 2005 a nuk i fituam gati 11 mandate sepse kandidatët tanë dolën të parët nga fakti që LSI ia hoqi ca vota PS duke ia pamundësuar kandidatëve të saj të ishin të parët?
Kësaj here këta Amerikanët garantë ia lejuan Edi Ramës ta prishte marrëveshjen dhe shkuan dëm diku 70 mijë vota?
Pse Amerikanët e lëshuan rolin e garantit? Pikëpyetje e madhe është? Ka zëra jo të pabesueshëm dhe veprime jo të pabesueshme se as LSI-në nuk e donin në pushtet dhe as nongratat e projektuara nuk i donin në lista.
Po Edi Ramën vall e duan, nuk ja dinë bëmat? Me sa duket në radhën e pritjes e kanë. Filluan t`ia heqin qoshnaret e murit të pushtetit korruptiv. E nisën këtej nga Durrësi. E sigurt që do shkojnë drejt majës. Ja kanë dhënë dhe Edit sinjalin duke i kujtuar se ne amerikanëve na e kopjove për të zezën tënde shprehjen “s`keni parë gjë akoma”.
Kam edhe shumë pyetje të tjera, por mjafton me kaq që të matemi disi kur disa i zhysim si humbësa e disa i lartësojmë si fitimtar. Po të bëjmë analiza reale e gjakftohtë me siguri do të ishim më të matur e më racional.
Le të shpresojmë që kokat tona të nxehta në këtë vjeshtë e fillim dimri të Vitit 2021 do i sistemojnë disa paqartësi me afrimin e pranverës 2022.